Lojërat e fëmijëve të vegjël

Foshnjave (0-5 vjeç) nuk u nevojiten shumë lojëra. Vëmendja dhe përkushtimi i prindërve është shumë më i rëndësishëm për shëndetin, zhvillimin mendor dhe mirëqenien e fëmijës.

Ç’është e vërteta, fëmijëve të sapolindur u bëjnë më shumë përshtypje fytyrat sesa lodrat e çdo lloji. Në muajt dhe vitet e para të fëmijërisë, fytyrat mbeten të preferuarat. Butësia, përkëdheljet, prekjet dhe fjalët e buta kanë një ndikim të madh në përshtypjen që krijon fëmija i vogël se bota është një vend i mrekullueshëm dhe i sigurt për tu eksploruar pa pasur frikë nga asgjë.

Fëmijët fare të vegjël kanë nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme, pa ndërprerje. Ata sapo kanë filluar procesin e zbulimit dhe njohjes së ambientit që i rrethon nëpërmjet shikimit, dëgjimit, kafshimit, nuhatjes dhe kapjes me duar. Shumica e njohurive mësohen nëpërmjet lojërave. Prandaj, ata kanë nevojë për lodra të sigurta, të cilat u përshtaten mënyrave të tyre të njohjes si dhe të ngjallin kuriozitet.

Foshnjat kanë momente shumë të shkurtra përqendrimi. Reagimet e tua duhet të jenë të shpeshta, të buta dhe të përshtatshme. Luaj me foshnjën vetëm atëherë kur duket se asaj po i pëlqen. Vështroje foshnjën me kujdes për të kuptuar nga sinjalet e saj nëse loja duhet ndryshuar. Për shembull nëse fëmija mërzitet duke goditur një lodër që kolovitet, jepi lojës varietet duke e larguar lodrën pak më tutje apo duke e mënjanuar.

Foshnja ka nevojë që ta ketë ambientin përreth deri në një farë mase nën kontroll. Krijoi mundësinë që të përballet me përvoja të tilla, të cilat e shtyjnë fëmijën që të veprojë, duke fituar besim në vetvete dhe siguri. Foshnja mëson se çfarë ndodh kur shtypet një lodër e butë ose një që fishkëllen. Foshnja gjithashtu kënaqet kur shikon kryerjen e të njëjtit veprim disa herë radhazi, si në rastin kur ajo hedh vazhdimisht diçka në tokë në mënyrë që ti ta ngresh prapë.

Në fundin e vitit të parë, foshnja do t’i pëlqejë disa lodra më shumë se të tjerat.