Lotët s’janë shenjë dobësie, por evoluimi

Lotët s’janë shenjë dobësie, por evoluimiVijmë në këtë botë duke qarë. Derdhim lot prej dhimbjes, prej emocioneve të forta, derdhim lot gëzimi dhe hidhërimi. Të vetmit që derdhin lot për shkak të emocioneve në këtë planet, jemi ne; njerëzit, prandaj shpesh thuhet që jeta jonë është një rrugëtim mes lotësh.

Besohet se njeriu ka qarë para se të fliste dhe lotët e kanë shoqëruar atë përgjatë gjithë evolucionit. Më saktë, të paktën sipas një studimi të fundit, janë faktor i evolucionit njerëzor.

Neurologu Michael Trimble nga Instituti i Neurologjisë në Universitetin e Londrës shpjegon në librin e tij të fundit të titulluar “Pse njerëzit pëlqejnë të qajnë” (Why humans like to cry) se përse derdhim lotë.

Ai hulumton arsyet që e bëjnë njeriun “kafshën e vetme” në këtë planet që shpreh ndjenjat e tij në këtë formë. Trimble shpjegon arsyet dhe gjithë mekanizmin, që nga nxitësi emocional e deri tek derdhja e lotëve.

Sipas tij, përpara se njeriu të niste të fliste, lotët ishin ndër mënyrat e pakta për të shprehur ndjenjat. Sipas tij, për vite me radhë, bashkë me evoluimin e shoqërisë edhe lotët kanë evoluar. Pjesa më e madhe e emocioneve që sot shkaktojnë lot, thotë ai, ishin të papërfillshëm në lashtësi dhe mesjetë.

Por sot kemi evoluar dhe kanë evoluar edhe arsyet e lotimit. Të qash, thotë Trimble, nuk është turp dhe as shenjë dobësie, përkundrazi, është shenjë evoluimi.