Home Këshilla për Prindër Lufta jonë për jetën e Petrës dhe Viktorit

Lufta jonë për jetën e Petrës dhe Viktorit

3Çdo histori ka mësimin e vet, kështu shpresoj të jetë dhe kjo. Në nder të fëmijëve të mi, të departamentit për gjinekologji dhe obstetrikë, departamentit për riprodhimin e asistuar, si dhe departamentit intenziv neonatal, dhe para së gjithash për rritjen e ndërgjegjësimit tek prindërit e ardhshëm, të cilët mund të kalojnë në rrugën e mprehtë të konceptimit, të shtatzënisë së rrezikshme apo të lindjes së parakohshme, vendosëm që ta ndajmë këtë histori.

Pas shtatzënisë së parë të pasuksesshme, të zhgënjyer, të pa sigurt dhe të pa ngushëlluar vendosëm që ta ndërronim spitalin, dhe sipas rekomandimeve të personave kompetentë dhe miqve të cilët kanë pasur përvojë pozitive, erdhëm në spitalin klinik “Acibadem Sistina”, më saktë në ordinancën e doktor Mitko Ivanovskit.

U larguam me duar bosh nga spitali, me zemër të thyer dhe me shpirt të zbrazur

Me Dr. Mitko Ivanovskin u kuptuam shumë shpejtë, u morëm vesh në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjmë, si do të vazhdojmë, dhe pas disa intervenimeve dhe numrit të shumtë të shqyrtimeve arritëm në konceptimin e suksesshëm nëpërmjet metodës së inseminimit (fekondimit) që me përpjekjen e parë.

Gjithçka nisi mirë, ishim tepër të lumtur dhe të çuditur se si arritëm në shtatzëni me përpjekjen e parë, por kjo nuk zgjati shumë. Dhimbjet e para i kaluam me ndihmën e ndërhyrjes së doktorit gjatë një qëndrimi të shkurtër në spital, por më pas filloi të dukej fundi i shtatzënisë, edhe pse këtë gjë unë së bashku me bashkëshortin tim nuk mund ta kuptonim, dhe natyrisht, natyra njerëzore është e tillë, që të shpresojë, pasi shpresa vdes e fundit. Më pas përsëri filluan dhimbjet, përsëri u kthyem në spital dhe përsëri me intervenim tjetër. Por ndonjëherë, sado që të keni njohuri dhe vullnet, gjërat nuk mund vazhdojnë më tej.  Gjatë qëndrimit në spital, atëherë kur ende kishim pak shpresë pasi Dr. Ivanovski nuk heq dorë lehtë dhe e njeh fare mirë natyrën e pacientëve të tij, mësuam se fëmija jonë ishte vajzë. Kur qëndron shtrirë në krevatin e spitalit, nën ndikimin e shumë ilaçeve, jo gjithmonë arrin të arsyetosh në mënyrë racionale, kështu që ne fëmijës tonë para kohe i’a vendosëm emrin Petra (qytet antik në Jordani, mrekulli botërore, me gurë të gdhendur, i fshehur në shkretëtirë, madje edhe kur kaloni mbi të në autostradë, është e pamundur për ta parë. Rrezaton me bukurinë e tij, misterin dhe forcën, edhe pas kaq shumë shekujsh ky qytet vazhdon ta sfidojë kohën. Unë dhe bashkëshorti im gjatë një udhëtimi në Jordani, u dashuruam me këtë qytet, këtu lindi dhe dëshira për emrin e vajzës).  Nuk kam çfarë të them më tepër, gjithçka përfundoi pa sukses, ishte një zhgënjim tepër i madh. U larguam nga spitali duar bosh, me zemër të thyer dhe me shpirt të zbrazur. Nuk ekzistojnë fjalë që mund t’ju ngushëllojnë apo t’ju lehtësojnë këtë ndjenë të zbrazët. Vetëm me kalimin e kohës mund t’ju kthehet përsëri shpresa.

Dr. Ivanovski ishte këtu për të na drejtuar në rrugën e duhur për t’ia arritur qëllimit

Në kontrollin e ardhshëm e pyetëm Dr. Ivanovskin se kur mund të fillonim me përpjekjen e dytë, pasi kjo ishte gjëja e vetme që na interesonte. Por, Dr. Ivanovski, para së gjithash është njeri dhe më pas doktor, dhe na u përgjigj me shumë delikatesë, duke na bërë të ditur se na duhej kohë për ta riparuar dëmin e shkaktuar nga shtatzënia  dhe për ta përgatitur organizmin në një gjendje të përkryer, për një shtatzëni të re.  Kështu, kaluan dy vjet, periudhë kjo gjatë të ciës nuk e humbëm shpresën, dhe në vazhdimësi i ndoqëm rekomandimet e mjekut, ku mund të themi se i besuam pa rezerva, ndryshe nuk mund t’ia arrish qëllimit. Dr. Ivanovski ishte këtu gjatë gjitha dështimeve, pasigurive dhe zhgënjimeve, për të na drejtuar në rrugën e duhur drejt arritjes së qëllimit. Dhe kështu ndodhi. Me rekomandimin e mjekut vendosëm që të ecim në rrugën e fertilizimit invitro, kështu vazhduam me terapitë e përditshme, të gjata dhe të dhimbshme. Kështu më 07. 07. 2015 nis historia e Viktorit dhe Petrës. Kjo është një dëshmi e këmbënguljes së gruas , dëshirës për të patur pasardhës, dhe dashurisë dhe përkushtimit të mjekëve ndaj profesionit të tyre.

Përpjekja e dytë, shtatzëni me dy foshnja, djalë dhe vajzë
Në momentin kur doktor Ivanovski na dha lajmin e shtatzënisë, këtë herë me dy fëmijë, u befasuam pa masë,  emocione dhe ndjenja të cilat nuk mund të përshkruhen.  Nuk prisnim shtatzëni me dy fëmijë, madje edhe kur i pashë rezultatet e testit të gjakut, mendova se është më mirë që të shkoj në kontroll tek doktori që ai ta shikojë vetë me sytë e tij dhe të na e vërtetojë këtë gjë.  Të lumtur por edhe të frikësuar, pasi që në fillim e dinim se shtatzënia me binjakë mbart rreziqet e veta në shtatzëni, nga ana tjetër më mundonte edhe historia ime e shtatzënive të mëparshme pa sukses.  I ndoqa të gjitha udhëzimet e mjekut, i bëra të gjitha terapitë që mi kishte dhënë doktori,  kështu që u bëmë pacientë të rregullt të qendrës së urgjencës në orën 20:00. Bashkëshorti im gjatë pritjes i lexoi të gjitha revistat e mundshme që gjenden në sallën e pritjes, ndërkohë që unë në ordinancë merrja dozën e përditshme të ilaçeve të nevojshme. E urreva kleksanin për shkak të dhimbjes dhe shenjave të maviosura që mi shkaktonte në trup, por  gjithësesi e kontrollon veten pasi në trupin tënd rrahin dy jetë të reja të cilat ju japin forcë dhe ndjenjën se mund të kapërceni gjithçka. Pas një periudhe të shkurtër filluan problemet e para, përsëri me të njejtën muzikë. Përsëri dhimbje. Pas një qëndrimi të shkurtër në spital  këtë problem e kapërcyem me sukses. Fëmijët rriteshin pa pengesë, e arritën madhësinë e nevojshme. Për një kohë të shkurtër e mësuam edhe gjininë e tyre. Kur Zoti të dhuron edhe vajzë edhe djalë, nuk ka gëzim më të madh për prindin. Gjatë kontrolleve të ardhshme, Dr. Ivanovski, tashmë nuk ishte shumë i kënaqur, filloi ti parashikojë komplikimet e mundshme, por shpresonte që të paktën lindja të bëhej në javën e 32 të shtatzënisë.

Në orën 04:00 të mesnatës më shpërthyen ujërat

Shumë pengesa u shfaqën gjatë kësaj shtatzënie, por të gjitha këto u zgjodhën me sukses deri në momentin e shfaqjes së problemit më të madh i cili u shfaq  me datë 04. 12. 2015. Një e premte e ftohtë, e errët dhe tragjike. Për mua një e premte e zezë. Në orën 04:00 të mesnatës, më shpërthyen ujërat, dhe për 10 minuta pothuajse të pavetëdijshëm mbërritëm në spitalin klinik “Acibadem Sistina”. Në qendrën e urgjencës e lajmëruan gjinekologun dezhurn, këtë herë ishte Dr. Jordanço Ivanov. Ishte vërtetë një rastësi që Dr. Ivanov ishte dezhurn sa herë që unë kisha ndonjë problem.  U shtrova në spital për një kohë të shkurtër dhe prita që të më përcaktohej terapia.  I telefonova një milion herë doktorit tim, pasi në momente të tilla ke më tepër nevojë për të, pasi është i vetmi të cilin mund ta kuptosh në çdo gjë që thotë dhe i vetmi në të cilin mund të besosh. Për fat të keq, doktori ishte jashtë vendit, në aeroport me pamundësi për të udhëtuar për shkak të anulimit të fluturimeve. Për fat të mirë mu përgjigj në telefon, dhe pas bisedës me të u qetësova pak.  Në derë u shfaq edhe Dr. Kuzeska, dhe tha se e kishte dërguar Dr. Ivanovski. Fjalët e saj ngushëlluese, dhe shpjegimet në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhesha unë së bashku me dy foshnjat e mia, më ndihmuan në një farë mënyre. Por kjo nuk do të thotë se agonia  kishte marrë fund, është e njëjta gjë sikur të ndodhesh në dyert e ferrit, në mënyrën më të keqe që mund ta mendoni.

Shtrihesha në të njëjtin pozicion në mënyrë që të mund ta shtyja shtatzëninë deri në javën e 28-të

Dr. Ivanovski  erdhi pas dy ditësh, por për mua ishte një përjetësi. Më tej ai e vazhdoi luftën e përditshme duke u përballur  me sfidën e shpërthimit të ujërave të njërës prej foshnjave në javën e 24 të shtatzënisë, ndërkohë që do të ishte mirë që të mund të duroja deri në javën e 28-të. E vetmja gjë që dëshiroja ishte që ta vazhdoja shtatzëninë time edhe më tej. Të qëndruarit shtrirë në një pozicion të vetëm, pa patur mundësi të lëvizësh, ju bën që në mendje t’ju shfaqen çfarëdo lloj mendimesh,jo gjithmonë optimiste, ndërkohë që bashkëshorti duhej të ishte ai i forti, i cili në çdo moment gjente fjalët e duhura ngushëlluese. Prania e tij e përditshme më bënte të besoja se mund t’ia dilnim mbanë.  Çdo mëngjes pyesja veten nëse foshnja ishte gjallë, dhe nëse përparonte sado pak, pyesja veten nëse edhe foshnja tjetër ishte në rrezik. Me ankth e prisja ardhjen e Dr. Ivanovskit në derë, që të mund ti ripërsërisja të njëjtat pyetje që i kisha bërë një ditë më parë, si dhe të merrja një përgjigje pozitive. Të mund ti shikoja foshnjat me anë të ekos. Kur i pash, u mbusha me ndjenjë gëzimi , por vetëm për një kohë të shkurtër, pasi përsëri shfaqej e njëjta ndjenjë , ajo ndjenjë që të dhemb në shpirt.  I gjithë stafi i departamentit gjinekologjik më ka ndihmuar, jo për faktin se kjo ishte detyra e tyre, por çdo ditë ata u përpoqën të ma bënin qëndrimin tim më të lehtë, më të qetë, mundoheshin që të më qetësonin si dhimbjen fizike ashtu edhe psikologjike. Infermieret Martina, Vale dhe Elena  janë munduar me të gjitha dijet dhe mundësitë e tyre, por jo vetëm kaq, janë munduar që të gjithë njerëzimin, miqësinë, mëmësinë që mbartin në vetvete, ta transferonin në mua, në mënyrë që të më jepnin shtysë për ta kapërcyer dhe për t’ia dalë mbanë kësaj lufte. Por pavarësisht dëshirës për të qenë e fortë, e qëndrueshme, gjithmonë mbizotërojnë  momente  dobësie, dhe në këtë mënyrë kisha një luftë të përditshme me të gjitha dilemat, frikën dhe me skenat e këqija. Unë përballesha me demonët e mi, Dr. Ivanovski me demonët e tij.
Me 31.12. 2015 erdhën në jetë Petra dhe Viktori

Pasi arritëm ti kalonim dy pjekjet e fetuseve, Dr. Ivanovski propozoi që lindja të bëhej me datë 31. 12. 2015. Ky vendim më dukej i çuditshëm, doja që të vazhdoja më tepër, për të arritur javën e 28 të shtatzënisë. Por doktori e dinte se asfëmijët  dhe as unë nuk ishim më të fuqishëm.  Ditën tjetër edhi për të na prezantuar me Dr. Aleksandar Sajkovskin, ai duhej ta ndiqte më tej punën e doktor Ivanovskit. Dr. Sajkovki na i shpjegoi rezultatet e mundshme. Nuk mundëm ti bënim asnjë pyetje, as unë dhe as bashkëshorti  pasi që të dy ishim në “shok”.  Një natë para datës 31. 12. 2015 Dr. Jordanço Ivanov ishte përsëri dezhurn, me të, nuk mbaj mend sa CTG kaluam, por gjithçka ishte në rregull, me përjashtim të emocioneve të mia për ditën e nesërme. Të nesërmen thashë me vete, tashmë i erdhi fundi hidhërimit tim. U gënjeva, pasi ai vazhdoi edhe për tre muaj të tjerë. Lindja përfundoi me sukses, erdhi në jetë Viktori (së bashku me bashkëshortin menduam se nëse gjithçka do të shkonte siç duhet, do të quhej Viktor, pasi ai ishte një fitues, një hero i vërtetë) dhe Petra. Dy jetë të reja me peshë 850 dhe 870 gram. Pasi isha si e paralizuar nga qëndrimi shtrirë për një muaj të tërë, ditën e parë nuk isha në gjendje që të shkoja për ti parë. Informacionet i merrja nga bashkëshorti, gjithçka që mund të më thoshte ishte se foshnjat ishin gjallë dhe shumë të vegjël. Ishim të lumtur, por në të njëjtën kohë edhe të frikësuar.

Në ditën e psetë dola nga spitali, u ktheva në shtëpi me duart bosh
Ditën e nesërme i pashë për herë të parë, Viktori dhe Petra ishin në dy inkubatorë të ndarë me vete, njëra foshnje me çarçaf ngjyrë blu, ndërsa foshnja tjetër në çarçaf ngjyrë rozë.  Infermieret i’u kishin bërë folezë, dhe në to gjendeshin këto dy foshnja të vogla dhe të brishta të cilët  kishin ende për të luftuar me jetët e tyre.  Ishin pothuajse transparentë, qarkullimi i tyre i gjakut pothuajse mund të shihej, me sy mbyllur, mund të dalloheshin vetëm duart dhe këmbët e vogla si dhe tuba të panumërta, kabllo, aparatë matës. Qëndronin shtrirë  pa lëvizur dhe pa ndihmë.  Monitorët vazhdimisht pulsonin, jepnin sinjal dhe ngjyrë të kuqe.  E dija që ngjyra e kuqe ishte një alarm dhe si nënë nuk isha në gjendje ti ndihmoja.  Po përjetoja “Shokun” më të madh në jetën time. Në ditën e pestë dola nga spitali, u ktheva në shtëpi me duart bosh. Nuk ka ndjenjë më të keqe që nëna të mos mund ti prek fëmijët e saj,  edhe pse isha shumë pranë tyre, mund të prekja vetëm inkubatorin.  Çdo ditë së bashku me bashkëshortin vinim në spital të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe pasdite, ndërsa natën kur më kapte paniku, i “bezdisja “ infermieret me një mal me pyetje, kërkoj ndjesë për këtë por realisht nuk mund të funksionoja ndryshe.
Me kalimin e ditëve bëheshim më të fortë, vinim me energji pozitive, besonim në më të mirën dhe luteshim për të.  Viktori dhe Petra, ngadalë, megjithatë përparonin në mënyrë të qëndrueshme. Filluan ti hapnin dhe mbyllnin sytë, të lëviznin gishtat, të pinin nga 2 ml qumësht. Nën syrin vigjilent të Dr. Sajkovskit, përparonin ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme. Kjo betejë ishte e gjatë, por ishim të vendosur që të përfundonte me sukses.  Infermiereve Snezhana dhe Vesna fillova madje t’ju lexoja gjithçka vetëm me anë të shikimit. E dija se kur shikoja shkëndija në sytë e tyre, fëmijët ishin mirë. Gjithmonë më jepnin lajme të mira (ndonjë gram më tepër apo ndonjë ml qumësht më tepër). Ato i shikonin fëmijët e mi sikur të ishin fëmijët e tyre. Fëmijët kishin më tepër nevojë për ta sesa për ne në ato momente. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre na bënte të ndiheshim më të qetë.  Edhe pse përparonin, frika për atë se çfarë mund të ndodhë ditën e ardhshme na mbante në ankth.  Me Dr. Sajkovskin bisedonim shpesh, mund të them se na informonte, madje na edukonte më tepër nga se ishte e nevojshme.  Kur ke një mjek të tillë, me dije dhe përvojë, dhe në të njëjtën kohë me dëshirën për të qenë në kontakt me hulumtimet dhe arritjet më të fundit, atëherë keni edhe çfarë të dëgjoni, dhe pas çdo bisede me të, largoheshim më të qetë dhe më të sigurt. Prandaj, them me bindje se nuk ka zgjedhje më të mirë se spitali klinik “Acibadem Sistina”.

Ekipi i Dr. Sajkovskit dhe Dr. Fidanovskit arritën ta mbanin në jetë Petrën dhe më pas luftuan edhe për jetën e Viktorit

Një ditë shkurti, si çdo ditë tjetër erdha në këtë departament, me të njëjtën rutinë, por gjatë momentit të hyrjes, më dukej diçka e çuditshme,  më gllabëroi një ndjenjë jo e mirë. Doja që edhe sot ti shihja, t’ju flisja, të më tregonin se sa kishin përparuar, të prekja inkubatorin e njërit pastaj të tjetrit, t’ju flisja, por nuk ndodhi kështu.  Menjëherë vërejta se Petra nuk ishte mirë, kishte edhe një tub dhe një gjilpërë plus.  Në ato duar dhe këmbë të vogla nuk kishte mbetur vend pa u shpuar nga gjilpërat. Doktori erdhi dhe na dha lajmin e keq – enterokolit i nekrotizuar. Ditët në vijim Dr. Sajkovski dhe Dr. Fidanovski luftuan me mish dhe me shpirt për ta kapërcyer këtë gjendje. Ajo që kishin arritur muajin e kaluar, gjithçka ishte fshirë, duhej  filluar nga e para. Thonim me vete, nuk ka rëndësi, e vetmja gjë që ka rëndësi në këto momente është që të mbijetojë. Petra është e fortë, ajo është këmbëngulëse, dhe i’a doli. Ekipi i Dr. Sajkovskit dhe Dr. Fidanovskit arritën ta mbanin gjallë. Ishim mirënjohës ndaj Zotit dhe ndaj doktorëve që e shpëtuan jetën e Petrës,  dhe luteshim që të mos përsëriteshin më këto surpriza të pakëndshme. Por kishte edhe situata të tjera. Këtë herë Viktori. Këtë herë bëhej fjalë për retinopati. Përparonte shumë shpejtë. Për një afat dy ditorë, viktori kërcënohej të mbetej i verbër. Duhet të reagohej menjëherë, dhe për fatin tonë të mirë, u gjet zgjidhje,  e cila përfundoi me rezultat pozitiv.

Momenti kur i preka për herë të parë
Koha kalonte ngadalë, gjithçka na dukej një përjetësi, gjithçka, deri në momentin kur më lejuan që ti prekja për herë të parë.  Ishte një moment lumturie. Zgjati shumë pak, por ky moment mbeti i gdhendur si një ndjenjë që zgjaste përgjithmonë. Pas dy muajsh qëndrimi, filluan edhe lajmet e mira. Dr. Sajkovski kishte njoftuar se do ta hiqte Viktorin nga inkubatori. Kaloi një e hënë, më pas një tjetër, madje mbërriti edhe e hëna e tretë dhe Viktori vazhdonte brenda në inkubator. Frymëmarrja e tij e paqëndrueshme i kishte prishur planet e Dr. Sajkovskit. Por një të hënë tjetër, infermierja Snezhana  më dha lajmin e mirë, Viktorin e kishin nxjerrë nga inkubatori. Nuk kisha përjetuar një ditë më të bukur se kjo! Menjëherë i telefonova bashkëshortit për ti dhënë lajmin e mirë, dhe ai erdhi menjëherë nga puna.  Pas një periudhe të shkurtër kohore edhe Petrën e nxorën nga inkubatori. Edhe pse ishin ende të lidhur me monitorët për ta ndjekur frymëmarrjen e tyre, tani mund ti përqafoja që të dy. U kthyem të kënaqur në shtëpi.

Na ishte mbushur zemra dhe shpirti plot
Nga fillimi i muajit Mars, na lajmëruan se pritej që të ktheheshim në shtëpi. Filluam të bëhemi të padurueshëm. Viktorin i cili ishte një rast më i rëndë, tashmë e konsideronin më të qëndrueshëm. Në të vërtetë mendonim se fillimisht Viktorin do ta merrnim në shtëpi, por Viktori vazhdonte të kishte probleme.  Dr. Sajkovski  vendosi që Petra të ishte e para. Kështu ndodhi.  Edhe pse ishte më e vogël, ajo ishte e qëndrueshme dhe me datë 14. 03. 2016 Petrën  e sollëm në shtëpi.  Nuk mund ta besonim, por ishte e vërtetë.  Ishim mirënjohës fillimisht ndaj Zotit, më pas ndaj të gjithë ekipit të të mjekëve dhe infermiereve të cilët të gjithë së bashku ishin të shkëlqyer. Për një kohë të shkurtër Dr. Sajkovski arriti ta stabilizojë gjendjen e Viktorit,  dhe kështu me datë 21. 03. 2016 edhe Viktorin e sollëm në shtëpi.  Tani ishim të plotë, edhe shpirtin edhe zemrën e kishim të mbushur. Edhe më tej vazhduam të përballemi me sfidën e fëmijëve të lindur para kohe, por nën udhëheqjen e Dr. Sajkovskit dhe infermieres Snezhana, arritëm ti përballonim problemet fillestare. Por nuk na mbetej rrugë tjetër përveç se të luftonim edhe më tej.  Falënderim, admirim dhe respekt të madh duam të tregojmë ndaj Dr. Ivanovskit për angazhimin vetëmohues, profesionalizmin dhe përkushtimin për të arritur të pamundurën. Ekipit të infermiereve në departamentin e gjinekologjisë dhe akusherisë, veçanërisht për infermieret Martina, Vale dhe Elena, të cilat kanë kontribuar me qenien e tyre, fillimisht si njerëz dhe më pas me profesionalizmin më të madh. Falënderim dhe respekt tepër të veçantë ndaj Dr. Sajkovskit pa të cilin edhe tani nuk mundemi, për edukimin e tij, për dëshirën për të ndihmuar dhe profesionalizmin e nivelit më të lartë. Jo më pak mirënjohje ndaj Dr. Dushko Fidanovskit, i cili në momentet më kritike tregoi aftësitë e tij udhëheqëse dhe përvojën e tij e cila na drejtoi në rrugën e  duhur. Dr. Snezhana Pallçevskën dhe Dr. Simonidha Spasevskën të cilat në situata tepër të rëndësishme na kanë ardhur në ndihmë. I gjithë ekipi i infermiereve në departamentin e kujdesit intensiv neonatal, për përkushtimin e tyre bujar, për faktin e të qenurit persona mjekësorë profesionalë,  por mbi të gjitha për të qenurit njerëz, veçanërisht për infermieren Snezhana, për dhembshurinë e saj, për dashurinë që ka treguar ndaj fëmijëve të mi, profesionalizmin dhe përkushtimin.  Falënderime edhe për infermieren Vesna, e cila na mësoi për shumë gjëra dhe na inkurajoi që të vazhdonim përpara. Në këtë grup profesionistësh bëjnë pjesë edhe infermieret Milena, Martina dhe Tina, ndaj të cilave kemi shumë më tepër se lavdërime.

Të gjithë ju jeni pjesë e familjes tonë. Ju falënderojmë pafundësisht.
Prindërit krenar të Viktorit dhe Petrës
Sonja dhe Sllobodan Vukajlloviq

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Këto ushqime pengojnë gjumin normal

Ne e dimë që ushqime të caktuara që përmbajnë kafeinë ose sheqer mund të stimulojnë sistemin nervor, duke e bërë të vështirë gjumin. Por ka edhe ushqime që do të kenë efektin e kundërt. Mos harroni karbohidratet Ushqyerja që përfshin nxjerrjen e karbohidrateve mund të prishë ekuilibrin kimik të trupit dhe kështu të parandalojë gjumin e mirë. Në vend që t’i eliminoni...