Home Udhëtim & Turizëm Mrekulli në Reikjavik: Ja si e kërkon Islanda lumturinë

Mrekulli në Reikjavik: Ja si e kërkon Islanda lumturinë

Para tre vitesh ishte në kolaps, sot ekonomia në Reikjavik ka gjetur më në fund recetën kundër krizës: asnjë qindarkë bankave të huaja, rroga të sigurta dhe inflacioni i ulur në 5%.

Një vit më parë, PBB kishte rënë me 11%, ndërkohë që sot është rritur dhe bizneset i janë rikthyer normalitetit. Ja çfarë ka ndryshuar vërtet, pa lot dhe gjak.

Asnjë para bankave të huaja, por vetëm kursime, rroga për punëtorët dhe pensione për të moshuarit. Me sa duket ky është shpëtimi “i shëndetshëm”.

Nëse Athina është në ditët e saj më të këqija, Reikjaviku po lulëzon çdo ditë. Jeta arktike i është rikthyer normalitetit. Tashmë Islanda mund t’i drejtohet sërish Brukselit dhe t’i tregojë se arriti t’ia dilte mbanë. E kush e mendonte këtë kthesë. Shifrat tregojnë gjithçka. Në tetor të 2008-s ishulli ishte shndërruar në një rrënojë ekonomike: bankomatët mund të përsërisnin vetëm tri fjalë: tërheqja nuk është e mundur”, tri bankat e mëdha kombëtare u shembën si birila brenda një jave. Sot, pas 35 muajsh, situata është normalizuar: prodhimi i brendshëm bruto është rritur 11% nga viti 2009 deri në 2010-n. Këtë vit është rritur sërish 2,8%; inflacioni është ulur nga 18,6% në 5%. Kanë filluar ta rimarrin veten. “Është e vërtetë, tani kemi hedhur gjithçka pas krahëve. Nuk do të flas për mrekulli, por gjërat shkojnë më mirë”, thotë ministri i Ekonomisë, Arni Pall Arnason. Madje, edhe vetë delegacioni i pathyeshëm i Fondit Monetar, pas tre vjetësh në krye të (ish) vendit më të lumtur të botës, u dorëzua dhe në fund të gushtit bëri gati valixhet për t’u kthyer në Uashington. “Misioni u krye. Të gjitha objektivat u përmbushën”, shkruhej në bilancin e drejtorit Benny Anderson.

Në fakt, kjo gjë duket qartë. “Laugavegur” rruga më elegante e kryeqytetit është mbushur si dikur (e krahasueshme me standardet e vendeve të zhvilluara). “Kam shitur tre kostume të Santa Klausit, në shtator”, thotë pronarja e dyqanit të vjetër me zbukurime për Vitin e Ri. “Kjo gjë nuk ndodhte që prej vitit 2007. Duket që njerëzit kanë dëshirë të festojnë”.

“Shkuam në buzë të greminës, por fatmirësisht nuk ramë!”, thotë një punonjës nga zyra e “Bilasala Gudfing”, një shoqëri koncesionare makinash të përdorura. Në kohërat e arta punonte te “Porsche”: “Dukej sikur jetoja në qytetin e lodrave. Marinarët dhe fermerët e kalonin kohën duke blerë dhe shitur aksione me para të marrë hua. Fitonin para me thasë. Pastaj vinin këtu dhe donin me çdo kusht dhe gjithmonë hua, makinat ‘Carrera 911’, kujton ai pa shumë nostalgji. Nuk paguanin as këstin e parë? “Arrita të shisja të njëjtën makinë për shtatë herë rresht në një vit e gjysmë, me një çmim shumë të lartë”. Nuk do mend që ato kanë qenë kohëra të tjera. Sot islandezët janë rikthyer me këmbë në tokë dhe në sheshin me pamje nga ujërat gri të Atlantikut, nuk ka më gjurmë të “Porsche”-it. “Faturat e shitjeve të tri ditëve të fundit, (dy ‘Athos’, një ‘Opel Omega ’, një ‘Land Cruiser’ e vitit 2006, shitje rekord në 2007-n) janë më se të mjaftueshme për t’i dhuruar sërish vetes një palë pushime dimërore. Do të shkoj për ski në mal”, shton ai.

Europa e duartroket Islandën për arritjet e saj, por e sheh me lakmi. Receta që e bëri të rilindte Reikjavikun nga mbetjet e saj, është e kundërta e asaj me lot dhe gjak që ka zgjedhur Greqia. Athina, për shembull, për qejf të Berlinit, nuk mund të përdorë përbërësin kryesor: të zhvlerësojë 60% të koronës.

“E majtë ose e djathtë, nuk ka shumë rëndësi. Asnjë nuk mendoi t’u paguante borxhin islandezëve”, thotë Thor Gylafson, ekonomist në Universitetin e Islandës. Para tre vjetësh kur sasia e madhe e një borxhi të arritur në 1100% të PBB (në Greqi është 150%), Kryeministri konservator, Geir Haarde, që sot ndiqet penalisht për neglizhencë ndaj situatës së atëhershme, mori një vendim shumë të rëndësishëm: transferoi kursimet e qytetarëve të tij nga darka në mëngjes në llogaritë rrjedhëse të tri bankave me kredi dhe braktisi në fatin e tyre kreditorët e huaj, duke ngrirë paratë e tyre në institutet e vjetra, që kishin përfunduar në shkrirje.

Edhe qeveria e re socialiste e Kryeministres Johanna Sigurdardottir ndoqi të njëjtën rrugë: “Situata e mëvonshme na tregoi se nuk gabuam”, thotë ministri i Financave, Steingrimur Sigfusson. Morali: tri ditë pas krizës, islandezët tërhoqën koronat e tyre nga bankomatët e Reikjavikut, ndërkohë që pjesa tjetër e botës mbeti “gojëthatë”, e varur nga procedurat e dështimit, dhe nëse gjithçka do të arrijë të normalizohet, do të rikuperojë vetëm 30 për qind të kapitalit të investuar. E kundërta e asaj qo ndodh aktualisht në Greqi, ku tarifën më të lartë të krizës po e paguajnë grekët.

“Këtu te ne nuk mund të ndodhte një gjë e tillë, sepse e njohim njëri-tjetrin. Jemi pak dhe si pasojë kemi formuar një kuadrat. Kryetarë bashkie dhe biznesmenë, peshkatarë dhe fermerë. Kundër është vetëm oligarkia e financierëve dhe pronarët e mëdhenj të anijeve, të cilët vetëm kanë përfituar nga kriza”, thotë Besasson. Sigurisht, katërmijë persona, mes tyre mijëra elektricistë, u larguan nga ishulli për të kërkuar fatin jashtë shtetit. Kjo është tepër e madhe për një vend që ka pak banorë. Por pasi u normalizua sistemi financiar, prioriteti i qeverisë ishte mbajtja nën kontroll e të ardhurave të qytetarëve, të rrezikuara nga investimet e djegura në bursë, huadhënie që u ka kaluar afati dhe inflacioni. Dhënia e rrogave dhe pensioneve nuk u ndërpre. “Për të shmangur aktivizimin e krizës morëm masa për tregun e punës me një sërë politikash mbështetëse”, thotë numri një i sindikatës. “Unë humba vendin e punës në shkurt të 2009-s kur shoqëria e ndërtimit për të cilën punoja falimentoi”, tregon Karol Yarzinska, 26 vjeç, emigrant polak i ardhur këtu në vitin 2006, që më pas shton: “Nuk kam ndonjë punë kushedi se çfarë, dhe mbahen me asistencën e cila është njëmijë euro në muaj, por fatkeqësisht me skadon në 2013-n. Në shtëpinë time në Lodz do të isha me keq”.

Rrjeti i mbrojtjes sociale funksionoi: “Shteti garanton gjashtë muaj rrogë për kualifikim në kompani të ndryshme dhe në përgjithësi 60% e të papunëve që kanë hyrë në këtë program janë marrë në punë”, bën të ditur Besasson. Fondet për formimin dhe edukimin në punë janë pesëfishuar pavarësisht shkurtimit të shpenzimit publik. Rezultatet janë më se të dukshme: “Para dy vjetësh 18 mijë islandezë ishin pa punë, 10% e popullsisë aktive sipas llogaritjeve të institutit të statistikave, ndërkohë që në gusht të këtij viti numri u ul në 11,294, ose 6,7%”.

Numra të saktë për unitetin. Sepse në një vend ku çdokush është i aftë të ndërtojë pemën e tij gjenetike që prej vitit njëmijë, asnjë nuk mbetet pas. “Unë isha peshkatar, kam luftuar për peshkun merluc kokë më kokë me peshkatarët anglezë (armë të tjera nuk ishin të mundura, sepse Islanda nuk ka ushtri). Para dy vjetësh rashë nga ura më e lartë në vend, një distancë prej dhjetë metrash, ku fatmirësisht theva vetëm shpatullën. Ishim në krizë të thellë dhe isha i sigurt se do të përfundoja në rrugë”, tregon një qytetar. Por nuk ndodhi kështu. Qeveria i dha një licencë taksie dhe ai arriti të paguante universitetin e të birit.

Tani Reikjavik dëshiron të përdorë euron. Momentalisht i ka mbetur për të zgjidhur vetëm çështja “Icesave” (shlyerja e borxhit ndaj disa huadhënësve anglezë dhe holandezë të përfshirë në krizë). Tani mbeten për t’u mbledhur vetëm të dhënat për tregtinë e merlucit dhe bujqësinë. “Megjithatë, rruga është e shënuar. Nëse duam ta arkivojmë përfundimisht krizën, duhet të trokasim në derën e Europës”, këto kanë qenë fjalët e Arnason. E rëndësishme është gjetja e mbështetjes.

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Surja dhe Duaja Ja-Sin – Me shkronja latine dhe përkthim Shqip

Surja Ja-Sin (36) është mekkase dhe ka takte të shkurtra dhe ritme të shpejta. Numri i ajeteve të saj është tetëdhjetë e tre si dhe është më e vogël dhe më e shkurtë se sureja paraprake (surja Fatir), e cila ka dyzet e pesë ajete. Kështu, tekstet e shkurtra dhe ritmi i shpejtë i japin sures një natyrë të posaçme...