Paragjykimet ne versionin hi-tech

Në botën teknologjike, paragjykimi është i gjallë dhe vazhdon të rritet. Mjafton të mendojmë për mënyrën se si i trajtojmë disa orendi mesjetare, në krahasim me ato teknologjike që kanë pushtuar sot botën.

Një shembull konkret është vendi ku ndodhi tragjedia e 11 shtatorit e vitit 2001. Sendet e gjetura aty dhe vendngjarja tashmë janë kthyer në relike dhe mishërojnë atë katastrofë që u mori jetën shumë njerëzve. Prodhimi në masë ka avantazhet e tij, sepse ndryshe nga krijimet e realizuara nga një artizan, një makineri arrin të prodhojë kopje identike të çfarëdo lloji.

Fatmirësisht, fabrikat tona prodhojnë miliona produkte që na nevojiten. Sapo realizojmë prototipin e një makine shkrimi, kompanitë tona mund të fabrikojnë klonët e asaj makine shkrimi në mijëra, madje edhe miliona kopje. Nëse një shkrimtar i njohur ka përdorur një nga ato makina për të shkruar, ai ekzemplar shihet me sy tjetër. Makinat e shkrimit të Ernest Heminguejit (kishte më shumë se një) mbahen si relike. Mbahen të ekspozuara nëpër kuti prej xhami, me qëllim që vizituesit të mos i prekin, por thjesht t’i shohin në distancë. Vlera e tyre arrin në 100,000 dollarë. Në fakt, ato lloj makinash shkrimi nuk ndryshojnë aspak nga miliona makinat e tjera të shkrimit të asaj kohe. I vetmi element që provon se makina e shkrimit i përkiste Heminguejit është që dikush e pohon këtë gjë. Pra duhet t’i besojmë atij që ka thënë se makina brenda kutisë prej xhami është e Heminguejit.

Reliket janë një element i përbashkët për të gjitha besimet kryesore të botës. Budizmi ka ndërtuar monumente të mëdha për të ruajtur disa copa relike të vogla të Budës, përfshi këtu edhe dhëmbët. Në periudhën mesjetare nderoheshin drurët ku ishte kryqëzuar Jezusi. Mendohej se këto copa drurësh kishin fuqi magjike, sepse kishin qenë në mënyrë indirekte në kontakt me trupin e Jezusit. Në fakt, logjika e relikës është e mbinatyrshme. Sipas ekspertëve, fuqia e relikës i detyrohet “fuqisë mistike që buron nga personi ose objekti i shenjtë”, një fuqi që i tejçohet sendeve dhe personave që kanë kontakt me të. Kjo magji e relikës funksionon për mrekulli në botën e koleksionistëve të objekteve moderne: për shembull disku i hokejit prej 3 dollarësh, që u përdor në ndeshjen që i dha Suedisë “Medaljen e artë olimpike” në vitin 2010, u shit për 13,000 dollarë për shkak të “fatit” që solli në lojë. Topi i bejsbollit i gjuajtur nga Berri Bonds, duke vendosur rekordin e ri ishte aq i kërkuar për karakteristikat e tij të veçanta, saqë u shit për 376 mijë dollarë. Në fakt, topi nuk kishte asgjë të veçantë nga topat e tjerë të bejsbollit të përdorur në këtë sport. Çdo njeri mund të blejë një të tillë për 17 dollarë.

Si te reliket, ashtu edhe sendet që koleksionohen, prejardhja është shumë e rëndësishme. Në fakt mes atyre që besojnë dhe koleksionistëve shpeshherë ka shumë debate mbi prejardhjen “e veçantë” të një relikeje. Por nëse prejardhja është e vërtetë, veçantia e saj nuk vihet kurrë në diskutim. Koleksionistët e produkteve të fabrikuara në seri, të përdorura më pas nga personazhet e famshëm, mendojnë se produkti industrial që kanë në duar, ka vërtet ose mishëron shpirtin mistik apo të mbinatyrshëm të personazhit të famshëm që e zotëronte. Është njësoj sikur fama ose madhështia të ishin “ngjitëse”. Fuqia e jashtëzakonshme e atletit, e yllit të kinemasë ose e artistit transmetohet përmes dy lloje kontaktesh. Është e pashpjegueshme arsyeja pse i atribuojmë një domethënie speciale artikujve të bërë me dorë. Megjithatë arsyeja mund të jetë fakti që një njeri i famshëm e ka prekur me dorë, ndaj është magjik. Pena e përdorur për të firmosur “Shpalljen e Pavarësisë” së Shteteve të Bashkuara, kitara e përdorur nga Bob Dilan, apo topi i gjuajtur nga Berri Bonds, mund të bëhen me të vërtetë speciale, vetëm nëse këtyre objekteve teknologjike u atribuojmë një fuqi magjike të mbinatyrshme dhe “ngjitëse”.

Të ruash sende të vjetra ka një lloj vlere. Muzetë që i koleksionojnë, për shembull “Computer History Museum” (Muzeu i Historisë së Kompjuterit) prezantojnë si prototipa origjinalë, ashtu edhe kompjuterë në fazë prodhimi, që kanë shumë informacione dhe mësime historie me vlerë të madhe. Megjithatë nuk ka rëndësi se kush i ka prekur në të kaluarën. Produktet industriale nuk mund të jenë relikë, sepse janë të gjitha kopje identike.

Shumë pak prej nesh janë imunë nga kjo formë magjike e të menduarit. Kush nuk do ta mbante orën e babait, ose gjerdanin e nënës si kujtim të familjes? Dhe kush nuk do të ndihej i tradhtuar nëse ndonjë do ta ndërronte me një kopje identike? Të gjithë. Ka një ndryshim, sepse ora që babai mbante në dorë, ose gjerdani që nëna mbante rreth qafës në njëfarë mënyre kanë marrë diçka prej tyre, diçka të prekshme, diçka shpirtërore dhe është normale që orenditë e tjera të mos e kenë. Natyrisht që ato mund të mos kenë ndonjë ndryshim të madh nga objektet e tjera të të njëjtit model, por arsyeja që i kushtojmë ka shumë rëndësi është prejardhja (“sepse i përket gjithmonë familjes sonë”).