
Shkencëtarët kanë zbuluar se një lëndë ushqyese që gjendet tek “pilula domate” mund të furnizojë spermën me 70% dhe jep një shpresë të re për çiftet që nuk kanë akoma fëmijë.
Shkencëtarët nga Universiteti i Sheffieldit po studiojnë efektin që luan përbërësi likopene (që u jep ngjyrën e kuqe domateve) tek rritja e pjellorisë së meshkujve.
Një ekip nga ky universitet, i udhëhequr nga profesori Allan Pacey, një nga ekspertët më të mirë britanik në çështjet e infertilitetit, është duke rekrutuar 60 meshkuj të grupmoshës 18-30 vjeç për të marrë pjesë në një studim tremujor. Disa vullnetarë do të marrin kapsula dy herë në ditë, nga një suplement i quajtur XY Pro.
Studimi vjen pasi Britania po përballet me një epidemi të çifteve pa fëmijë, ku një në gjashtë çifte janë pa fëmijë, dhe kjo si pasojë e cilësisë së dobët të spermës.
“Studime të ndryshme në të gjithë botën kanë treguar se vetitë antioksiduese të përbërësit likopene kanë një efekt shumë pozitiv tek cilësia e spermës, prandaj duam që të bëjmë edhe më shumë studime,” deklaroi prof. Allan Pacey.
“Prodhimi i spermës merr kohë tre muaj. Ky studim do të na tregojë nëse likopeni përmirëson cilësinë e spermës, duke reduktuar dëmtimin e ADN-së”, shtoi ai.
“Nëse do të funksionojë tek vullnetarët, atëherë duhet ta testojmë atë tek pacientët që e kanë të pamundur të bëjnë fëmijë.”
Një studim i publikuar kohët e fundit nga specialistët e fertilitetit të klinikës më prestigjioze në Amerikë, Klinika Cleveland në Ohajo, ka treguar se përbërësi likopene mund të rrisë cilësinë e spermës me 70%. Sipas profesor Pacey, një sërë studimesh të tjera të kryer më parë kanë treguar se likopene mund të ngadalësojë avancimin e kancerit të prostatës.
Profesori Roger Kirby, specialist i shëndetit riprodhues të meshkujve, thotë gjithashtu se e ka rekomanduar gjithmonë përdorimin e përbërësit likopene. “E kam rekomanduar atë për shumë vite, dhe do të doja që të kryheshin më shumë eksperimente për të provuar se si funksionon”, shprehet ai.