Plazhet ekzotike të Turqisë

Riviera turke vazhdon të jetë vendi që të bënë për vete sapo të shkelësh në një nga bregdetet e saj.

Plazhet ekzotike, rëra e pastër, kaltërsia e ujit, hotelet luksoze me çmime relativisht të lira, ushqimi oriental e shumë elemente përcjellëse të menysë turistike turke, mbeten oferta më ideale për kosovarët, për të realizuar pushime të paharrueshme në sezonin veror.

Tradita turke e gërshetuar me elemente perëndimore shfaqet si një përjetim unik për turistët e panumërt.

Komoditeti që të troket që nga kontakti i parë me shërbimin e recepcionit të hoteleve dhe vazhdon gjatë gjithë ditëve të qëndrimit me dhoma luksoze, pishina, akuariume, restorante me shumë klasa, salla për fitnes, sauna, e plotë atraktivitete relaksuese të përngjasin me sarajet e pashallarëve turk, gjurmët e të cilave i has në ambientet e shumta arkeologjike, ku çdo pushues ka mundësi ta sheh dhe prek një pjesë të historisë së ish-perandorisë, “ku dielli kurrë nuk perëndon”.

Nëse dikur, dhoma luksoze, pishina dhe gjëra të tjera, i gjeje në sarajet e pashallarëve, gjërat tani kanë ndryshuar.

Ato, mund të jenë pjesë e aktivitetit ditor të çdo turisti, pa qenë nevoja që ai t’i takojë elitave politike. E njohur si njëra nga Perandoritë më të mëdha gjatë shekujve të kaluar, gjurmët e shtetit osman, i gjen në çdo hap.

Antalia me 16 hotele, Kemeri me 45 hotele, Beleku me 28 hotele, e Side me 26 hotele dhe Alania me 32 sosh, janë disa nga rajonet e rivierës turke që mbeten perla të natyrës dhe ofrojnë kushtet më ideale për një pushim të këndshëm duke kursyer edhe xhepin.

Në Turqi, nuk të mungon aspak edhe Evropa, sepse aty mund ta shijosh lehtësisht qytetet më eminente të saj përfshirë edhe Amsterdamin. Kjo mund të arrihet nëse zgjedh të qëndrosh në Hotel “Orange County”.


Ndërtimi i këtij hoteli në stilin e ndërtesave rreth kanalit të Amsterdamit të zhvendos nga bota orientale në atë perëndimore. Qëndrimi në rivierën turke është edhe befasues. Në “Orange County” nuk e ke aspak të vështirë të mendosh se gjendesh në Amsterdam.

Hotelet turke posedojnë edhe qendra terapeutike, amfiteatër, kinema, klube të natës, kursin e golfit.

Bregdeti mbresëlënës turk

Të zgjedhësh që të pushosh në rivierën turke nuk është aspak e vështirë, por të vendosësh se në cilën pjesë apo hotel të kësaj riviere do të akomodohesh përbën sfidë të vërtetë.

“I ftohti i madh ka vështirësuar jetën e njerëzve në Rusi”. Ky është një nga lajmet që dëgjohej shoqëruar me pamjen ku njerëzit kalojnë në Sheshin e Kuq në Moskë, duke nxituar për të blerë ndonjë gjë, sa nuk ka ardhur mbrëmja edhe më e acartë.

Por, në Turqi, është ndryshe. Njerëz pothuajse të zhveshur shëtisin apo zbaviten pranë hotelit Kremlin.

Hotel “Mardan Palace” që shtrihet në rajonin e plazheve me rërë të imët ndodhet 10 km nga Aeroporti i Antalias dhe 15 km nga qendra e qytetit.

Ky hotel që posedon pishinë me 24 000 metër katror, në shikim të parë të ngjan me një kështjellë gjigante për nga lartësia dhe gjerësia e tij. Qëndrimi luksoz ka dhe befasinë e tij në këtë hotel. Në katër akuariume ke mundësi të shohësh 5000 lloje peshqish.

Shijimin e bukurive natyrore dhe ambienteve mbresëlënëse përgjatë bregdetit të Antalias e mundëson edhe qëndrimi në hotelet tjera madhështore.

Rajoni i plazhit “Lara” që gjendet në pjesën lindore të bregdetit të Antalias disponon me gjiret më interesante me rërë ngjyrë ari.

Hoteli “Royal Wings” i hapur në vitin 2005 llogaritet një nga hotelet e kategorisë së lartë, i cili ofron pushime si në parajsë për gjithë familjen.

Një kopsht me një pishinë të rrethuar me gjelbërim dhe një pishinë tjetër për relaksim, me valë, pishinë për fëmijë dhe aquapark të shtyn që pushimet familjare të zgjedhësh për t’i kaluar këtu.

Menaxherët e këtij hoteli janë kujdesur për gjithçka. Brenda kompleksit të këtij hoteli ndodhet edhe miniklubi prej moshës 4-12 vjeçare, minidisko, vendargëtim për fëmijë dhe byfe po ashtu për fëmijët.

Por, për të zgjedhur hotelin për të pushuar në Antalia nuk është lehtë. Hotelet me ndërtim arkitektonik, modern dhe kushte përrallore garojnë shumë afër njëri-tjetrit.

Hotel “Kervansaray Lara” është një ambient tjetër që më shumë ka pamjen moderne sesa tradicionale. I ndërtuar me një stil modern, xhama dhe drita, ky hotel gjendet afër 2 kilometra nga “Lara Beach” dhe 10 km nga qendra e Antalias.

Bregdetet turke garojnë për nga bukuritë natyrore ndërmjet vete. Bregdeti i Kemerit shtrihet buzë masivit malor të Taurusit, 49 km larg Antalias. Ky bregdet ofron plazhet Goynuk, Çamyuva, Beldibi dhe Tekirova, që ofrojnë një panoramë të paharrueshme.

Kaltërsia e ujit që të qëndron para dhe pishat e larta janë dy kontraste të mrekullueshme që të fusin brenda një ambienti të qetë. Por, për të dalë nga kjo “ëndërr” pushimi ke mundësinë të shijosh edhe kafiteritë, restorantet dhe dyqanet e shuma të suvenireve si dhe butikë ekskluziv.

Hoteli “Otium Art”, “Fantasia De Luxe”, “Orange County” janë vetëm tri nga hotelet e këtij bregdeti të shtrira në mes të pishave dhe detit.

“Otium Art” shtrihet në një hapësirë të gjelbëruar me pamje kah malet e Taurusit dhe drejtpërdrejtë në plazhin me guralecë. Shërbimi i mensës turke dhe asaj ndërkombëtare shoqërohet gjatë ditës më çaj dhe ëmbëlsira.

Ndërsa, darka servohet në një nga tri restorantet e këtij hoteli. Me 369 dhoma, ky hotel mbetet një nga më të kërkuarit.

Edhe Hoteli “Fantasia De Lux” shtrihet në mes malit me pisha dhe plazhit të gjerë. Ai disponon me 351 dhoma që shpërndahen në një ndërtesë katërkatëshe, ndërsa për kohën e lirë ofron shërbime edhe pa pagesë. Përveç sportit, sauna dhe banja turke janë shërbimet gratis që servohen për pushuesit si shërbim nderi nga udhëheqësit e hotelit.

Rajoni i Belekut është një nga bregdetet ku shtrihen hotele moderne në mes të një pamje mahnitëse të rrethuar po ashtu me pisha 30 km në lindje të Antalias dhe vetëm 25 km larg aeroportit. “Cornelia Diamonds”, “Club Ateria”, “Lukia World”, janë vetëm 3 prej 28 hoteleve që ofron ky plazh.

Riveria turke ofron dhe një botë të pasur historike. Dëshmitar i një trashëgimie kulturore dhe historike është qyteti i Sides i quajtur ndryshe dhe një qytet muze. Të shijosh detin dhe historinë janë dy element që t’i ofron të plotësuar ky rajon.

Hoteli “Otium Eco Club” është një nga rreth 25 hotelet që shtrihen në bregdetin e këtij qyteti. Ky hotel është një nga hotelet më të preferuara të pushuesve, duke garantuar një rehati komode dhe kushte ideale argëtimi.

Përjetimin maksimal të këtyre mundësive e ofron “Eurokoha”, kompani kjo që ka sponsorizuar pushimin shtatëditor të një ekipi gazetarësh të Kosovës, në hotelet më luksoze të bregdetit turk.