Home Udhëtim & Turizëm Prizreni djepi i trashëgimisë kulturore

Prizreni djepi i trashëgimisë kulturore

Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti, si një vend unik në Ballkan, për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme.

Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave, qyteti i Prizrenit me plot të drejtë mban epitetin e “qytetit muze”,”muzeut nën qiellin e hapur”apo edhe të “Dubrovnikut të Ballkanit”, për t’u radhitur si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.

I vendosur rrëzë maleve të Sharrit,(që janë shpallur “park nacional”), në të dy brigjet e Lumbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare mes lindjes dhe perëndimit, qyteti i Prizrenit, gjatë historisë ishte i njohur si qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike e diplomatike.

Në mes të Adriatikut dhe Egjeut

Në rrjedhën e shekujve,duke filluar nga periudha iliro-dardane, romake dhe ajo bizantine, Prizreni ishte njëri ndër stacionet kryesore në rrugën “Via de Zenta” që lidhte qytetet bregdetare të Adriatikut me qendrat tjera në brendi të vendit.

Duke u ndërlidhur me rrugën jugore “Via Egnatia”, që shkonte deri në Selanaik, ”Theranda”antike apo “Prizdriana”e kohës bizantine, ishte urë lidhëse në mes të brigjeve të detit Adriatik dhe atij Egje.

Seli e një Ipeshkvie bizantine, Prizreni më 1204 bie nën sundimin bullgar, ndërsa më 1282 pushtohet nga serbët. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni ishte qendër e rëndësishme fetare, politike e ekonomike.

Qendër vilajeti dhe qendër konsulare

Pas pushtimit turk më 1455, Prizreni kreu funksionin e qendrës së sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë Osmane, bëhet qendër vilajeti.

Në gjysmën e dytë të shek.XIX-të, në Prizren hapen përfaqësitë diplomatike të disa vendeve të Europës. Austria ishte vendi i parë që hapi përfaqësi konsulare, ndërsa këtë hap e ndoqën edhe Rusia, Anglia e Italia.

Prizreni zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze për mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Prizreni-qendër ekonomike

Në kohën e dominimit të prodhimtarisë zejtare, Prizreni u ngrit në një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta të këtij qyteti ushtroheshon më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi.

Në veçanti është e njohur tradita e përpunimit artizanal të metaleve fisnike – filigrani.

Prizreni sërish mund ta fitojë shansin e vet historik në kuadër të një impakti ekonomik e kulturor. Revitalizimi dhe mbrojtja e fondit të trashëgimisë kulturore si dhe inkurajimi në riaktivizimin e atyre veprimtarive karakteristike ekonomike, do të mundësonin që Prizreni të bëhet partner i denjë në bashkëpunimin kulturor e ekonomik me qytetet tjera të Ballkanit, Europës Juglindore dhe më gjërë.

Shansi turistik

Falë infrastrukturës së instaluar kulturore e cila përpiqet të jetë në funksion të ruajtjes, kultivimit dhe prezentimit të vlerave të trashëgimisë së kulturës materiale e shpirtërore, qyteti i Prizrenit shansin e vet e projekton edhe në zhvillimin e turizmit si veprimtari ekonomike profitabile.

Prizreni ka një potencial të lakmueshëm vlerash kulturore të trashëguara nga periudha të ndryshme historike.

Me 24 lokalitete arkeologjike të identifikuara, me 39 objekte kulti të krishtera, 46 objekte sakrale islame, me mbi 74 objekte me karakteristika të theksuara të arkitekturës folklorike, Prizreni synon të bëhet një qendër e frekuentuar turistike.

Kalaja që ngritet në kodrën mbi qytet, Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjujve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedrala e Zonjes Ndihmëtare, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, Ura e Vjetër e Gurit, janë vetëm një pjesë e trashëgimisë së kulturës materiale që mund të hasen në qytetin e Prizrenit.

Prizreni është i njohur edhe për traditën e mirë të kultivimit të arteve të bukura. Në te janë organizuar dhe vazhdojnë të organizohen manifestime të shumta kulturore tradicionale. Festivali i këngës së vjetër qytetare-« Zambaku i Prizrenit », Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër « Dokufest » fillimi i mbarë punës së Teatrit Profesionist të qytetit, ”Festa e vjeljes së rrushit” dhe një varg ngjarjesh tjera kulturore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, e bëjnë Prizrenin edhe më joshës në planin turistik. Kur kësaj i shtohen edhe bukurite e rralla natyrore të Maleve të Sharrit me qendrën e njohur skitare, me të drejtë mund të thuhet se “mozaiku i kërkesave turistike” plotësohet në tërësi.

Strategjia e zhvillimit dhe ruajtja e karakterit histoRik

Në strategjinë e zhvillimit dhe të investimeve në infrastrukturën kulturore të qytetit të Prizrenit, vend me rëndësi do të zë edhe restaurimi i objekteve të trashëgimisë, në funksion të krijimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në to.

Për këtë qëllim po bëhen përpjekje të vazhdueshme që përmes kontakteve, vizitave dhe formave tjera të bashkëpunimit, të fitohet përvoja e duhur për prezentimin sa më profesional të vlerave kulturore të Prizrenit edhe në qarqet kulturore e shkencore ndërkombëtare. (Ekspozita: Trashëgimia Arkitekturale dhe Urbane e Prizrenit, ”Perlat e Kulturës Popullore të Prizrenit”…).

Me krijimin e parakushteve elementare, mendohet të restaurohen dhe të vehen në shërbim disa nga objektet vijuese:

Kalaja e qytetit: Fortifikatë e periudhes iliro-dardane, më pas romake, bizantine, sllave e turke, gjallëroi deri më 1915, kur u shkatrrua nga bullgarët, gjatë Luftës së Parë Boterore.

Me rehabilitimin e mureve rrethuese, brendisë së saj dhe rrugës që shpie deri në Kala, mund të krijohen parakushtet për ndërtimin e një amfiteatri me skenën verore, që do të shfrytëzohej për aktivitete të ndryshme kulturore. Në të mund të organizohen koncerte, shfaqje teatrore, festivale muzikore dhe të filmit si dhe manifestime tjera të kësaj natyre. Inaugurimi i amfiteatrit dhe skenës verore në Kala, do të kontribuonte në pasurimin e jetës kulturore të Prizrenit dhe të Kosovës.

Muzeu Arkeologjik: Është i vendosur në Kullën e Sahatit dhe galeritë e Hamamit të Ahmet Shemsudin Beut. Në te janë të ekspozuara 790 njësi arkeologjike, të zbuluara në regjionin e Prizrenit, që datojnë nga koha antike, mesjeta e deri në shek.XIX.
Po të krijoheshin kushtet normale për sistemimin, konservimin e lëndës arkeologjike si dhe pasurimin e njësive muzeale me eksponate të reja, me një menaxhim të arsyeshëm dhe transparent, Muzeu Arkeologjik mund të bëhet njëri ndër objektet më të vizituara kulturore të qytetit.

Hamami i Gazi-Mehmet Pashës: I ndërtuar më 1573, është njëri nga tre Hamamet më të mëdhenj në Ballkan, pas Hamamit të Husret Beut në Sarajevë dhe atij të Daut Pashës në Shkup.

Aktualisht, galeritë e Hamamit të G.M. Pashës shfrytëzohen me të madhe për ekspozita figurative e fotografike, për takime e promovime letrare, koncerte të muzikës kamertale, etj.

Art-Qendra kulturore-rinore: Është hartuar dhe prezentuar projekt-propozimi për ngritjen e Art-Qendrës kulturore-Rinore. Ndërtimi i saj do të ishte dhurata më e mirë për artdashësit, punëtorët kulturor dhe qytetarët e Prizrenit.

Synimet: Duke iu referuar potencialit të pamohueshëm kulturor, traditës historike dhe mundësive reale të bashkëpunimit, synim afatgjatë mbetet që edhe qyteti i Prizrenit të inkuadrohet në rrjetin e rrugëve kulturore të rajonit të Ballkanit dhe të Europës.

Në këtë mënyrë,Prizrenit do t’i jepej vendi i merituar në varganin e margaritarëve të trashëgimisë së kulturës universale botërore, si qytet i traditës historike.

TË TJERA

Çfarë duhet të dini që të parandaloni sëmundjen e diabetit

Simptomat më klasike të diabetit janë lodhja, urinimi i shtuar, etja dhe uria e tepruar. Por ka edhe disa simptoma të tjera që mund të jenë shenja paralajmëruese, që janë më pak të dukshme. Periodontiti Periodontiti është një sëmundje e mishrave të dhëmbëve, që mund të shkaktojë lirimin ose rënien e tyre. Kjo sëmundje është dy deri në tre herë më e...