Pse janë të domosdoshme shëtitjet?

Sa herë keni dëgjuar dhe nga kush keni dëgjuar se është mirë të shëtitni dhe kur e keni bërë një gjë të tillë?

Arsyet pse shëtitjet duhet të jenë pjesë e përditshmërisë suaj janë të shumta, e motivimin duhet ta gjeni ju vetë. Ja disa prej arsyeve për ta pasur një mënyrë më të shëndetshme të jetës.

 

1.Shëtitja është falas dhe e thjeshtë

Nuk kërkon kurrfarë përgatitje të veçantë, bazë, rast, madje as shoqëri. Shoferëve u sugjerohet që ta gjejnë një parking paksa më larg se vendi i punës dhe disa detyrime t’i kryejnë në këmbë, e jo duke e shëtitur veturën sa në njërin, sa në tjetrin parking. Pauzën në punë, madje edhe kur janë më të shkurtra se dhjetë minuta, shfrytëzojeni për të ecur.

 

2.

Ecja e dobishme për zemrën

Kur brenda një dite të vetme keni ecur bile edhe vetëm gjysmë ore, atëherë i keni ndihmuar mjaft punës së zemrës suaj. Hulumtimi i fundit shkencor ka vërtetuar se femrat që ecin me një shpejtësi prej 6,4 kilometra në orë, së paku tri herë në javë, i kanë të njëjtat dobi për zemrën sikur ato femra që pandërprerë ushtrojnë nga një orë e gjysmë në javë. Të dyja grupet për 30 dhe 40% më pak ishin të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës, në krahasim me bashkëmoshataret e tyre që nuk bënin gjë.

 

3.

Zvogëlohet rreziku prej disa tumoreve

Jo vetëm shëtitjet, por edhe ushtrimet tjera fizike e zvogëlojnë rrezikun që të prekeni nga kanceri. Studimet shkencore tregojnë se ato femra që pas menopauzës merren me ushtrime trupore për 30% më pak janë të rrezikuara nga zhvillimi i kancerit të gjirit. Ato femra të cilat gjatë gjithë jetës së tyre ishin aktive, atë përqindje e kanë më të lartë, madje për 42%, në krahasim me femrat që preferojnë të qëndrojnë statike. Po ashtu, rekreacioni sjell 40% më pak rrezik nga kanceri në zorrë të trashë.

 

4.

Ngritja e sistemit imun

Nëse jeni fizikisht krejtësisht joaktiv, atëherë rritet rreziku nga infeksionet bakteriale dhe virusale, por gjithashtu edhe aktiviteti i tepruar fizik e dëmton sistemin imun. Optimale është aktiviteti fizik, si shëtitja apo ecja e shpejtë. Në një studim, në të cilin kishin marrë pjesë 50 njerëz, ata ishin ndarë në dy grupe, i pari kishte ecur rreth 45 minuta brenda ditës, përderisa grupi i dytë ishte pa kurrfarë aktiviteti fizik. Ata nga grupi i parë më pak prekeshin nga ftohjet, përderisa edhe pasqyra e tyre e gjakut ishte më e mirë, pasi kishin më shumë qeliza që i vritnin viruset dhe bakteret.

5.

I ndihmon psikikës dhe trurit

Edhe më tutje nuk është shpjeguar ndërlidhja ndërmjet aktivitetit fizik me kthjelltësinë mendore. Por, dihet se aktiviteti fizik e shton disponimin, kështu që për t’i shmangur situatat depresive, mjekët jua sugjerojnë shëtitjet. Shëtitjet janë të përsosura në zbutjen e stresit. Një fizkulturë e lehtë është më e dobishme se ajo me intensitet të lartë dhe të pakontrolluar. Një shëtitje mesatare e zvogëlon tensionimin njëjtë, sikur një tabletë për qetësim dhe zgjat më tepër.

KËSHILLA TË NGJASHME