Home Këshilla për Prindër Raporti adoleshent-prind

Raporti adoleshent-prind

Mosha e adoleshencës është një moshë shumë delikate në jetën e një njeriu dhe duke qenë se është mosha e ndryshimeve të mëdha, shumë prindër e kanë përjetuar në kurrizin e tyre vështirësinë e përshtatjes me gjendjen e re në të cilën ndodhen fëmijët e tyre.

Për të folur për këtë argument, në studion e “Pasdites” ishin dy vajza të reja këngëtare dhe rebele, të shoqëruara nga prindërit e tyre. Enrika, pjesëmarrëse në edicionin e parë të “The Voice of Albania” në “Top-Channel” shoqërohej nga babai Frederiku, ndërsa Sofia, një 15-vjeçare e talentuar që ka nisur një grup të sajin, shoqërohej nga nëna Elinara.

Për të debatuar rreth marrëdhënies së vështirë mes prindërve dhe fëmijëve adoleshentë, në studio ishte e pranishme edhe psikologia Anxhela Gramo.

E para që nisi bisedën e pasdites ishte Enrike, e shndërruar në 15-vjeçaren më të famshme në Shqipëri, me arritjen deri në finalen e “The Voice”. “Gjithçka shkon mirë në jetën time, vazhdon shkolla, vetëm se tani kam fansa dhe më shohin njerëzit në mënyrë të ndryshme. Ata që kam takuar shprehen pozitivisht dhe disa prej tyre shprehen të mërzitur që nuk fitova. Sidoqoftë së shpejti do të rikthehem në skenë, duke marrë pjesë në “Top-Fest””.

Sofia, edhe ajo 15 vjeç, është e bija e një ish-këngëtareje që ka marrë pjesë në shumë edicione të festivale të RTSH-së, Elinara Shehut. Ajo ka themeluar një grup muzikor, në të cilin është kitariste. “Kam një talent të ndryshëm nga mami, ndonëse të lidhur me muzikën. Më pëlqen metal dhe rock, por nuk di të këndoj. Përpiqem kur jemi në karaoke, por e di që nuk di ta bëj shumë mirë diçka të tillë”.

Por, si ndihet një nënë në raport me një fëmijë të tillë rebel dhe të talentuar, që lufton gjithmonë e më shumë për hapësirat e jetës së saj. “Mos ta përkrahja nuk do të kishte kuptim. Jam e befasuar se si ka mundësi që të ndjekë atë që kam ëndërruar unë gjithmonë e që kam realizuar disi, por jo deri në fund. Normal që prirjet e saj më befasuan kur i njoha, sepse një ditë të bukur më tha që mami, kemi bërë një grup me katër shoqe. Tashti i ndjek ngado që shkojnë dhe ndonjëherë ndihem e lodhur, më duket sikur po ritem edhe unë së bashku me to”.

Si e kërkon pavarësinë e saj Sofia? “Dua të bëj gjithçka vetë, të jem e pavarur dhe të kem lirinë time, por kjo nuk është e mundur tërësisht. Në çdo vend, pas orës pesë është edhe mami që më ndjek dhe në një farë mënyre më bezdis. E keqja është se nuk vjen dhe të vijë pastaj të më marrë, por qëndron aty deri kur mbaroj unë punë. Sidoqoftë, është më mirë të flasësh për gjërat e tua me mamin, sepse tek shoqet nuk mund të kesh besim dhe mund të ta nxjerrin sekretin tënd në çdo kohë”.

“Një sjellje e tillë nga një prind është normale në një vend ku lokalët që frekuentojnë adoleshentët nuk janë unikë vetëm për ta dhe ku ndodhen 30-40 vjeçarë gjithashtu në ato ambiente. Nuk është kontrolli, por ndienja e përgjegjësisë, sepse fatkeqësisht, në Shqipëri nuk janë forcuar ende sa duhet ligjet që pengojnë përdorimin e narkotikëve dhe alkoolit midis adoleshentëve”, shpjegoi Elinara.

“Duhet përdorur metoda tërhiq e mos këput. Kur ke një fëmijë rebel, që e vogël që e do diçka dhe pikë, nuk mund t’ia bësh ndryshe. Unë jam mundur t’i shpjegoj, që gjithcka ka pasoja. Duhet gjetur një rrugë e mesme. E lejoj që dicka që e kërkon ta bëjë, por duke i vendosur kufizime, duke i vendosur orar, etc. Përshembull kërkonte baterinë në shtëpi, ku kemi edhe një piano dhe tre kitara. i vura kusht që të fillonte të luante në të nëse donte t’ia blinim dhe kështu u bë”, shtoi Elinara, e cila bëri një krahasim midis moshës së të bijës dhe adoleshencës së saj.

“Dëshirat janë pak a shumë të njëjta. Nga mënyra se si sillet dhe në tip, pak a shumë është njësoj. Më duket si vetja ime për shumë gjëra, kur e shoh në skenë, më duket sikur kthyen vitet pas dhe e çuditshme është se këtë nuk ia kam ushqyer unë. Sigurisht, ne i kishim ndryshe raportet, nuk flisnim për gjërat tona me prindërit dhe detyroheshim të komunikonim me shoqërinë, ndërsa këta flasim më shumë me ne”.

Duke u rikthyer tek Enrika, të befason fakti që ndryshe nga prirjet e saj muzikore, dhoma e saj është e zhveshur nga posterat dhe ngjyra rozë duket kontradiktore për “metalaren” 15-vjeçare. “Më ka mbetur edhe kjo për të bërë, duhet të ndryshoj dhomën, por në fakt nuk e kam menduar shumë, sepse kur je me drita fikur nuk ngjan keq”, thotë me humor Enrika, që dëshmon se e ka më të lehtë të flasë me babain se sa me nënën dhe se ka një raport tepër të afërt edhe me dajën, i cili di ta kuptojë më mirë se të gjithë.

Babai i saj, Frederiku, gjithashtu foli për përvojën e rritjes së tij të një vajze adoleshente dhe këngëtareje të suksesshme. “Nga njëra anë, problemin kryesor, atë të dëshirës së fëmijëve për të dalë natën, ne në Shkodër jemi pak më të qetë, pasi jeta e natës është e varfër dhe nuk ka shumë variacion. Unë si baba jam përpjekur t’i plotësoj dëshirat vajzës, ndonjëherë duke i blerë gjërat që nuk mi ka kërkuar, por që e di që do t’i pëlqenin”.

Sipas Frederikut, nuk ka shumë ndryshim midis brezeve. “Ne kemi qenë shumë të mbyllur, por prapë i kemi bërë të gjitha. Kemi pirë cigare, kemi lënë orë mësimi dhe dilnim me vajza. Tashmë që gjërat janë më të lirshme, më duket sikur të rinjtë kanë një kontroll më të madh, pasi edhe informacioni i tyre është më i madh. E vetmja gjë që ndryshon është fakti që në kohën tonë nuk mund të visheshe në të njëjtën mënyrë si vajza ime sot dhe as të dëgjoje një muzikë të njëjtë”.

“Pasdite” transmetoi edhe një seri intervistash anonime të të rinjve, që dëshmuan se nuk janë edhe aq të lirshëm me prindërit e tyre, të cilëve nuk mund t’u tregojnë për të dashurit që kanë, për cigaret që pijnë fshehur apo faktin që dalin natën pa dijeninë e prindërve.

Në ndërhyrjen e saj, psikologia Anxhela Gramo konsideroi: “Problemi i prindërve është që adoleshentët i krahasojnë me fëmijët përpara se t’i hyjnë kësaj faze, në të cilat sfidat janë më të mëdha. Në këtë moshë, fëmijët kanë ritme të shpejta në aspektin biologjik, duke u afruar më parën moshës së rritur. Për këtë arsye, ky anim nga mosha e të rriturve, largim nga fëmijëra, shoqërohet nga dëshira dhe këmbëngulja për autonomi dhe pavarësi. Duan të provojnë sjellje të rriturish sepse ndihen të rritur dhe këtë duan t’ia konfirmojnë vetes. Prindërit duhet të mësohen me këtë ide. Rebelimi, po t’i hyjmë termit, është një steriotip, nuk ka rebelim. Është një proces brenda një faze zhvillimi që konsiderohet i domosdoshëm. Prindërit duhet të dinë të bëjnë detyrën dhe të pranojnë këtë fazë kritike të rritjes, duke e konsideruar si një invidivid që shpejt do të kalojë në fazë të rritur”, vlerësoi Gramo./tch/

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Ushtrimet ua zgjasin jetën

Ushtrimi është i njohur për të përmirësuar shëndetin, por kërkimet e reja zbulojnë se thjesht duke shtuar më shumë lëvizje gjatë gjithë ditës, në të vërtetë mund të ndihmojnë njerëzit të jetojnë më gjatë, transmeton Gazeta Express. Ata që kërkojnë të përmirësojnë shëndetin e tyre në përgjithësi shpesh shkojnë në palestër – ose, në vend të kësaj, kapërcejnë ushtrimin krejtësisht. Shkencëtarët...