Falë sekreteve të mjeshtërve të grimit, do të kurseni para dhe do ta zgjatni disa herë afatin e qëndrueshmërisë së preparateve të grimit.
Nëse pudra dhe bojëkuqi qëndrojnë për një kohë të gjatë në fibra, brusha shumë shpejt do ta humbë formën dhe funksionin.
Brushat e grimit megjithatë nuk është e thënë që të jenë material harxhues. Në mënyrë që ato ta ruajnë formën dhe me vite të duken si të reja, duhet t’i lani rregullisht me shampo, apo me ndonjë detergjent të butë për larjen e enëve, duke i lënë më pas në peshqir të letrës, që të teren.
Brusha e lagët nuk duhet të lihet në gotë, me bishtin teposhtë, sepse uji do të shkojë poshtë dhe do ta kalbë rrënjën e fijeve. Nuk është e thënë që në çantën kozmetike ta keni një arsenal të tërë të pudrave të ngjyrave dhe nuancave të ndryshme.
Gjatë muajve të verës, kur nxihet lëkura dhe pudra dimërore bëhet tepër e ndritshme, nuk është e thënë që të blini një tjetër, por në pudrën ekzistuese qitni pak bronzues në formë xhelatine, i cili ia jep asaj një nuancë më të ngrohtë. Në vend që të blini preparate të shtrenjta, grimin nga fytyra dhe sytë mund ta hiqni për mrekulli me tamponë të pambukut, të zhytur në vazelinë të thjeshtë.
Evitimi i shkrirjes së grimit
Kur fillon që t’ju shkëlqejë fytyra nga djersët, nuk është e thënë që duhet ta hiqni grimin dhe ta vini atë përsëri. Me një facoletë letre thjesht thithni sasinë e tepërt të yndyrës dhe spërkateni fytyrën me tonik, i cili e freskon atë dhe i ngushton poret.
Trajtimet e shtrenjta të bukurisë mund të presin
Pilingun mund ta bëni edhe në shtëpi. Përziejeni vajin e ullirit dhe sheqerin, apo kripën, në përpjesëtim 1 : 2 dhe shtoni disa pika vaji eterik të livandës, apo grejpfrutit. Para se të bëni dush, fërkojeni lëkurën lehtazi me këtë përzierje e më pas shpëlajeni me ujë të ngrohtë.
Përgatitja për grim fillon me sheqer të vrugët
Mund të kurseni edhe nëse pilingun për buzë, para vënies së buzëkuqit, e bëni vetë. Përzieni sasitë e njëjta të sheqerit të vrugët, vajit të ullirit dhe ekstraktit të vaniljes. Me këtë përzierje lehtazi fërkoni buzët. Buzët do të jenë të buta, shkëlqyese dhe të gatshme për buzëkuq.
Për buzë më të bukura
Në një facoletë letre qitni pak pudër pluhur, e më pas këtë facoletë me pudër futeni midis buzëve dhe shtrëngojeni butësisht. Kjo facoletë menjëherë do ta thithë sasinë e tepërt të buzëkuqit, kurse pudra do ta fiksojë buzëkuqin për buzësh, duke evituar shkrirjen e tij dhe njollosjen e dhëmbëve.
KËSHILLA TË NGJASHME