Shenjat e sifilizit

Sifilizi është një infeksion serioz, i cili bartet nga një person te tjetri gjatë marrëdhënieve seksuale, i shkaktuar nga një bakterie.

Mund të infektoheni edhe duke prekur gjakun ose plagët (ulcerat) në gojë,penis, vagjinë ose anus, te personi me sifiliz.

Te meshkujt, shenja e parë e sifilizit mund të jetë një pezmatim ose ulcerë në penis, ndërsa te femrat, kjo ulcerë paraqitet rreth vaginës ose në brendi të saj. Nëse sifilizi nuk mjekohet me kohë, bakteriet mund të kalojnë në gjak dhe të shkaktojnë shumë probleme të tjera.

Shenja më e shpeshtë është ekzantema (paraqitje e ndryshimeve në lëkurë: skuqje, njolla, fshikëza etj), e cila zakonisht paraqitet në shuplaka dhe shputa. Shenjat tjera të sifilizit janë ethet, pezmatimi i
fytit dhe rritja e gjëndrave limfatike.

Njerëzit të cilët nuk janë mjekuar nga sifilizi, pas disa vitesh mund të kenë probleme në tru ose palcën kurrizore. Po ashtu, sifilizi mund ta dëmtojë zemrën dhe organet tjera.

Te disa njerëz nuk shfaqen fare simptomat, por ata do të kenë probleme tjera shëndetësore pas disa vitesh.