Shija e çajit duhet të përkojë me orën e ditës!

Shija e çajit nuk është e rastësishme dhe nuk varet vetëm nga qiellza! Ka ca rregulla! Zbuloni se çfarë çajesh duhet të pini në orare të ndryshme të ditës… Jemi në stinën e tyre, të paktën edhe për disa muaj…

Në mëngjes: Çaje të ngrohta me barishte ose erëza me shije të fortë dhe pak të hidhura janë ideale për të nisur ditën. CHAI indian është një zgjedhje ideale për mëngjesin, ashtu siç është tulsi ose borziloku i përzier me xhenxhefil dhe çaj jeshil ose të zi. Nëse keni pasur një mëngjes të bollshëm dhe ndiheni të mbingopur, provoni xhenxhefilin me limon, mjaltë dhe pak spec të kuq djegës.

Në mesditë: Zgjidhni bimë të freskëta me shije të ëmbël dhe pak të hidhura, që ta rrudhin lehtë gjuhën. Nëse keni ftohtë apo ndiheni të dobët, pini xhenxhefil ose çaj tulsi. Çaji i limonit është një çaj i mrekullueshëm dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Mund t’i shtoni pak nenexhik, nëse jeni nervozë dhe pijeni në temperaturë dhome. Nëse keni probleme me fytin, provoni çaj jamballi.

Pasdite vonë ose pak para se të bjerë mbrëmja: Pini çaje me shije të ëmbël ose të athët. Nuk duhet të pini çaje me efekt stimulues. “Yogi Tea”, i cili përmban jamball dhe kardamon, është shumë i dobishëm. Gjithashtu, mund të pini qumësht të ngrohtë me pak mjaltë dhe gjysmë luge të vogël arrëmyshk.


Para gjumit: Provoni çajet qetësuese, si atë të livandës ose të kamomilit, që do t’ju qetësojnë para se të flini.