Si duhet te ushqehet nje person gjate kimioterapise

Nëse mendohemi për një çast, mund ta gjejmë vetë përgjigjen e titullit: Ushqimet që hamë nxisin në çdo moment sistemin metabolik dhe kjo është pjesë përbërëse e gjendjes sonë shëndetësore.

Me pak fjalë, sot kemi provat shkencore për atë që kishte teorizuar dikur filozofi gjerman Ludwig Feuerbach në shekullin XIX: “Ne jemi ajo që hamë”. Disa ushqime dhe pije na mbrojnë nga sëmundjet, por disa të tjera na ekspozojnë ndaj rreziqeve të mëdha.

“Natyrisht që kjo vlen edhe për pacientët që bëjnë kimioterapi. Për këtë arsye, vitet e fundit janë shtuar kërkimet rreth ushqimit dhe kancerit, jo vetëm në rangun parandalues. Ne kemi tentuar t’u përgjigjemi disa pyetjeve të rëndësishme, që mund të na ndihmojnë shumë, si për shembull: Ajo që ushqen njeriun, ushqen edhe kancerin? Nëse e vëmë personin në dietë ose i reduktojnë ushqimin, ka më shumë mundësi për ta mundur sëmundjen”. shpjegon një onkolog.

Për të mbajtur larg sëmundjet duhet të përdoren ushqime të ndryshme

Nevojiten ende shumë kërkime për t’i saktësuar bindjet e shkencëtarëve, por, në këtë publikim të fundit, onkologu amerikan ka vendosur të flasë për ato gjëra që kanë një përfundim të saktë. Sipas tij, duhen shfrytëzuar në maksimum efektet e ndryshme të ushqimit dhe të agjërimit, për të forcuar efektet e barnave kimioterapike.

Nëse disa substanca të ushqyeshme, për shembull, janë favorizuese për ata që bëjnë “body building”, sepse rrisin masën muskulore, të tjera shtojnë oreksin, të tjera akoma rekomandohen për veti të ndryshme për t’u dobësuar gjatë mbajtjes së dietave.

Duke iu afruar “planetit kancer”, janë të shumta provat shkencore në favor të frutave dhe perimeve, si ushqime që ndihmojnë në parandalimin e tumoreve të ndryshme dhe kundër konsumit të tepruar të mishit të kuq (që është i lidhur me rritjen e zhvillimit të kancerit në zorrë dhe stomak). Në këtë pikë, edhe ekspertët janë të gjithë në një mendje: nuk ka “ushqime magjike” që të mbrojnë kundër kancerit, por ajo që mund të bëjmë ne është t’i mbajmë sa më larg.

Qeliza të shëndetshme dhe sëmundje që ushqehen në mënyra të ndryshme

Qelizat kanceroze dhe qelizat e shëndetshme kanë një metabolizëm të ndryshëm dhe është vënë re se një dietë e pasur me karbohidrate nxit përhapjen e qelizave kanceroze (që ushqehen kryesisht me sheqer), ndërsa një dietë e bazuar te yndyrat (që ushqehen qelizat e shëndetshme) këshillohet më tepër te pacientët me kancer.

Në mënyrë specifike, qelizat normale dhe ato tumorale ndryshojnë nga njëra-tjetra për shkak të aftësive të ndryshme për t’iu përgjigjur ngacmimeve të jashtme: në mungesë të ushqyesve në dispozicion, qelizat normale aktivizojnë disa rrugë mbrojtëse metabolike, ndërsa qelizat kanceroze janë të aftë për veprim ndalues të onkogjeneve. Ky ndryshim mund të përdoret për të rritur rezistencën e qelizave normale kundër efekteve toksike të kimioterapisë, si dhe për rritjen e ndjeshmërisë së qelizave tumorale ndaj efekteve terapeutike. Ky mekanizëm, që ekspertët e quajnë “përgjigjja indiferente ndaj stresit” (DSR) e bën kimioterapinë më aktive, pa pasur nevojë që të rritet doza e ilaçeve dhe efektet e tyre negative (përzierje, të vjellje, lodhje, humbje peshe).

Këshilla praktike: shumë kura

Dimë që si cilësia, ashtu edhe sasia e ushqimeve që konsumojmë ndikon në efekshmërinë e ilaçeve të kimioterapisë. Një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe agjërimi, por pa e sforcuar organizmin e pacientit që vuan nga kanceri.

Siç është treguar edhe në një studim të veçantë të kohëve të fundit, 72 orë kimioterapi janë një interval kohe ku ndërhyrjet ushqyese-metabolike të mbajtura nën kontroll mund të japin përgjigje të rëndësishme klinike, të rrisin efekshmërinë e terapisë farmakologjike dhe të zvogëlojnë efektet anësore. Sigurisht që na nevojitet konfirmimi i shumë analizave të mëtejshme, por duket se po ndiqet rruga e duhur: ushqyerja e pacientëve dhe mbrojtja e qelizave të shëndetshme, nga njëra anë, si dhe dobësimi i qelizave kanceroze me anë të ilaçeve.

Për personat që janë në kimioterapi, ekspertët japin disa këshilla të dobishme: është shumë e rëndësishme të mos humbni peshë dhe të mos mundeni nga efektet anësore të trajtimeve. Ka shumë mjete për të frenuar problemet që lidhen me ushqyerjen e të sëmurëve me kancer. Si gjithmonë, të parandalosh është më mirë se të kurosh. Kështu është mirë t’i kërkoni ndihmë menjëherë onkologut për një dietë të posaçme. Gjatë këtyre ditëve të nxehta, për të gjithë, por sidomos për pacientët në kimioterapi rekomandohen ushqime të ftohta, akullore dhe shumë lëngje.