Home Këshilla për Prindër Si të komunikoni me fëmijën

Si të komunikoni me fëmijën

Mënyra më e mirë për të ushqyer vetëbesimin tek fëmija është duke dëgjuar dhe duke u përgjigjur mendimeve dhe ndjenjave të vogëlushit. Gjithashtu, një komunikim i drejtë me fëmijën që në fillim është njëkohësisht edhe investim për vitet e adoleshencës.

Komunikimi prindëror duhet të jetë i natyrshëm, sidoqoftë kini parasysh këshillat e mëposhtme:

Dëgjoje fëmijën deri në fund, pa e ndërprerë.

Dëgjimi me qetësi dhe i vëmendshëm kërkon durim dhe përqendrim. Jo rrallë herë ndodh që të nxitohesh e të nxjerrësh konkluzione para se fëmija të ketë mbaruar së foluri. Ki mendjen gjatë kohës që problemi ose ngjarja shpaloset. Nëse fëmijës i krijohet tani mundësia që të shprehë këndvështrimin e tij deri në fund, atëherë në të ardhmen, ai do të jetë më i predispozuar që çështjet e rëndësishme t’i diskutojë me ty dhe jo me ndonjë tjetër.

Pranoje të gjithë gamën emocionale të fëmijës.

Fëmija është i vetëdijshëm për atë që ndien. Mos i shpërfill ndjenjat e vërteta të vogëlushit me shprehje të tilla si, “Pse mërzitesh? Do shkojmë një herë tjetër”, ose “Tregohu burrë, boll qave!” Në vend të kësaj do të ishte më mirë që t’i pranoje ndjenjat e fëmijës edhe pse të dhimbshme. Kjo tregon përkrahje dhe mirëkuptim.

Dëgjo atë që fëmija nuk po e thotë.

Shpesh, ato që fëmija i lë pa thënë janë më të rëndësishme se ato që thotë. Kushtoi vëmendje gjuhës trupore të fëmijës, tonin e zërit, gjestet, shprehjet e fytyrës, etj. “Lexo mes rreshtave” për të kapur kuptimin e vërtetë të asaj që fëmija po thotë. Fjalë të tilla si, “Dukesh i/e mërzitur”, apo, “Qenke nxehur!”, i japin fëmijës të kuptojë se ti e mirëkupton dhe se je i/e gatshme të dëgjosh.

Ndihmoje fëmijën që t’i qartësojë ndjenjat dhe mendimet.

Duke punuar me fjalët e fëmijës, ti e ndihmon atë që të eksplorojë më tej mendimet dhe ndjenjat e veta. Disa shprehje dhe pyetje që ndihmojnë qartësimin janë:

“Më trego më shumë rreth kësaj gjëje.”
“A mund të më tregosh një shembull?”
“Pa shiko, pa shiko! Më duket se të pëlqyeka me të vërtetë!”
“U trembe kur ajo gjë ndodhi, apo jo?”
“Të vjen turp nga…”
“Po thua se të bezdis …?”
“Kjo qenka me të vërtetë e rëndësishme për ty, apo jo?”
” E di që dhemb kur…”

Ndihmoje fëmijën që të bëjë dallimin mes mendimeve dhe veprimeve.

Të pranosh faktin që fëmija mund të ketë një gamë të gjerë ndjenjash nuk do të thotë se duhet patjetër të pranosh edhe një gamë po aq të gjerë sjelljesh. Ndihmoje fëmijën të kuptojë se ndjenjat në vetvete nuk janë as të mira as të këqija, ndërsa sjellja mund të jetë e pranueshme ose e papranueshme. Për shembull, sqaroja fëmijës se është normale që të mërzitesh me vëllain ose me motrën, megjithatë nuk është normale që t’i godasësh ata në asnjë mënyrë.

Përdor fjalën “Unë” shpesh.

Duke përdorur fjalën “Unë”, fëmija e ka më të thjeshtë, e për rrjedhojë edhe më të lehtë që ta pranojë mesazhin tënd. Fjalitë në vetën e parë shprehin më së miri efektin negativ ose pozitiv që ka një sjellje e caktuar tek ty. Për shembull, “Më shqetëson zhurma e lartë sepse kam dhimbje koke. Të lutem ule zërin dhe mbylle derën.” Ndërsa një shprehje tjetër sulmuese si “Pse je gjithmonë kaq i zhurmshëm? Se shikon që më dhemb koka!” e krijojnë fëmijës siklet, e për rrjedhojë gjendje mbrojtjeje.

Jep reagime të menjëhershme

Komento menjëherë pasi të ketë ndodhur ngjarja.
Mos e mbingarko fëmijën me shumë fjalë.
Përdor shembuj konkretë kurdo që të jetë e mundur.
Ndihmoje fëmijën që të zgjidhë një problem duke bërë pyetje të tilla si “Si e bëre? Çfarë mundësish kemi për ta zgjidhur?” dhe jo duke e zgjidhur vetë.

Ndihmoje fëmijën që të zhvillojë aftësi të mira komunikimi.

Aftësitë e të folurit dhe të dëgjuarit zhvillohen nëpërmjet bashkëbisedimeve të planifikuara që më përpara, të cilat janë argëtuese për ty dhe fëmijën.

Nxite komunikimin nëpërmjet shprehisë krijuese.

Fëmijët janë të ndërlikuar në mënyra të bukura, por nuk kanë aftësinë që t’i shprehin ndjenjat e tyre të thella nëpërmjet fjalëve. Arti, muzika, kërcimi dhe dramaturgjia (teatri – recitimet) japin mundësi për t’u shprehur.

Mos i korrigjo gabimet gramatikore të fëmijës gjatë kohës që po flet.

Vogëlushi mund të bëhet tejet iu ndjeshëm nëse vazhdimisht ia tërheq vëmendjen për çdo gabim. Përkundrazi, gjej një përqasje jo të drejtpërdrejtë. Për shembull, nëse fëmija thotë, “Maina, maina!”, përsërite fjalën, “Makina? E pe makinën? Edhe unë e pashë makinën. :farë ngjyre kishte makina?”

Komuniko pozitivisht.

Kujtohu gjithmonë që ta lavdërosh fëmijën kur të të pëlqejë diçka dhe jo të presësh vetëm kur të bëjë gabime.

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Arsyet përse ju lotojnë sytë, zgjidhjet për secilin rast

Lotët janë të rëndësishëm për shëndetin e syve. Ato i lubrifikojnë ato, i ushqejnë dhe mbrojnë shëndetin e tyre. Lotët përbëhen nga uji, sekrecione të ndryshme, vajra yndyrorë dhe mbi 1,500 proteina të ndryshme. Shkarkimi i tyre nëpërmjet të qarës është shumë e shëndetshme për organizmin. Lotët prodhohen nga gjendrat sipër syve dhe nën qepalla. Një ndër funksionet e tjera...