Spitali Amerikan fillon me aplikimin e rregullt të terapisë trombolitike në infarktet akute të trurit!

Spitali Amerikan në Prishtinë këtë javë është pajisur me medikamentin Actilyse, përkatësisht ilaçin për shkrirjen e trombeve të gjakut në arteriet trunore.

Bëhet fjalë për ilaçin më bashkëkohor dhe të vetëm në treg i cili aplikohet në gjendjet në të cilat konstatohet prania e infarktit në tru (goditjes, sulmit apo pikës në tru).

Afati kohor në të cilin ilaçi mund t’i jepet pacientit është i kufizuar. Prandaj, të gjithë ata që përjetojnë simptoma të cilat mund të jenë në ndërlidhje me trurin duhet të paraqiten apo të sillen në spital jo më larg se 3 orë që nga fillimi i simptomave.

Kjo nguti është që t’i jepet kohë e mjaftueshme ekzaminimeve që duhet të bëhen në emergjencë, në mënyrë që kufiri maksimal i aplikimit të terapisë prej 4.5 orësh të mos tejkalohet.

Simptomat që sugjerojnë për një infarkt të mundshëm të trurit mund të jenë të ndryshme. Me të shpeshtat janë humbja e vetëdijes, humbja e aftësisë për të folur apo për të kuptuar atë që thuhet, paraliza apo mpirja e njërës anë të trupit, marramendja, vjellja, humbja e shikimit. Të gjitha këto simptoma mund të paraqiten në kombinime të ndryshme dhe veçoria kryesore është se ato shfaqen zakonisht papritmas, në mënyrë të përnjëhershme.

Veprimi i parë i cili duhet të bëhet në emergjencë është që të realizohet së paku një tomografi kompjuterike e trurit, me të cilën do të përjashtohet prania e gjakderdhjes në tru dhe në mënyrë indirekte do të konstatohet infarkti. Po qe se edhe kriteret e tjera të parapara me udhëzimet ndërkombëtare përmbushen, atëherë pacienti në fjalë do të jetë kandidat i përshtatshëm për terapinë e lartpërmendur.

Aplikimi i terapisë trombolitike bëhet përmes rrugës venoze dhe kryhet në një periudhë kohore prej një orësh. Duke qenë se ilaçi paraqet një hollues të fuqishëm gjaku, duhet të merren masa të veçanta për t’i përcjellë efektet e mundshme anësore dhe gjendjen e përgjithshme të pacientit. Ekzistojnë rregulla strikte të cilat e kufizojnë përdorimin e ilaçit dhe krahas kohës e cila është kriteri kryesor, të gjitha të tjerat duhet të shqyrtohen me kujdes, në mënyrë që dobia e terapisë të jetë maksimale.

Spitali Amerikan në Prishtinë dhe Departamenti i Neurologjisë, i udhëhequr nga Ass. Dr. Blerim Myftiu, më 15 dhjetor të vitit 2015 e ka përdorur këtë terapi për të herë të parë në Kosovë te një pacient me infarkt akut në tru. Duke e aplikuar me 22 shtator 2018 për herë të tretë terapinë trombolitike, ajo tanimë është futur në përdorim të rregullt. Kësisoj, Kosova e cila ka qenë shteti i vetëm në Evropë që nuk e aplikonte këtë terapi bashkëkohore për infarktet akute, tani e tutje e ka institucionin dhe departamentin ku pacientët mund të përfitojnë nga terapia dhe mund t’i shmangin pasojat serioze të infarkteve trunore.