Home Udhëtim & Turizëm Udhëtim në Ulqin

Udhëtim në Ulqin

Me Ulqinin dashurohesh me shikim të parë, natyra pothuajse e paprekur dhe deti i kthjellët i Adratikut, lë gjurmë në sytë e gjithsecilit.

Hyrja në qytet, nga vendasit, quhet e jashtëzakonshme. Me këtë ndjesi, Riviera, Ulqini i Vjetër dhe plazhet e tij, bëjnë për vete turistët që befasohen nga ai në dimër dhe në verë.

“Fatin e Ulqinit do ta ndaja me Shkodrën, të dy qytetet janë lënë në harresë. Në vend që të ecin përpara, kanë bërë hapa mbrapa”, shprehet Gëzim Hajdinaga, kryetari i komunës.

Qyteti mesjetar është pushtuar nga shumë kultura, secila prej tyre ka lënë gjurmët e veta deri në kohët e sotme. Kjo vihet re nga arkitektura dhe jeta e rrugicave të Ulqinit. Qyteti i sotëm është gërshetim i këtyre kulturave, ndërsa historianët janë ciceronët e pashoq të atyre periudhave që përcjellin çfarë ka ndodhur dhjetra e qindra vjet më parë, që pak e gjejmë të shkruar në arkivat tanë. Njëra prej tyre lidhet me autorin e “Don Kishotit”, shkrimtarin e famshëm spanjoll Migel Servantes.

“Një nga legjendat e Ulqinit është ajo e Servantesit. Ai e shkroi një pjesë të Don Kishotit në Ulqin. Gjithashtu u dashurua me një vendase dhe këtë e përmend vetë ai”, tregon historiani Bahri Brisku.

Kjo është ura mbi Bunë, që lidh Adën me Plazhin e Madh. Përgjatë lumit ngrihen “kasolle druri” me rrjeta peshkimi të çuditshme. Nëpër guidat turistike i gjejmë me emrin “Kalimera”. Këto objekte të ngjashme me ato të Lindjes së Largët e shndërrojnë “mbi-lumin” në një vend ekzotik.

Disa kilomtera në jug të Ulqinit gjendet Plazhi i Madh, i tipit ranor. Shtrihet në një gjatësi prej 13 kilometrash, përgjatë lumit Buna. Kjo hapësirë vazhdon deri tek plazhi i Adës. Në gjuhën malazeze quhet “Velika shesh”, është burimi më i vlefshëm i rivierës së Ulqinit dhe rripi më i gjatë bregdetar në Malin e Zi, për të cilin krenohen ulqinakët. Plazhin e vogël, shumë popullor për vendasit, e gjejmë brenda në qytet. Ai ka nisur të frekuentohet në këto ditë prilli.

Treva shquhet për pasurinë e dritës dhe nxehtësisë. Dimri i butë dhe pranvera e hershme, me restorantet romantike, dyqanet e vogla dhe objektet e kultit e bëjnë atë një qendër të ndryshueshme. Kapaciteti i përvitshëm i Ulqinit, në sektorin privat dhe atë shtetëror, arrin deri në 30 mijë shtretër.

Ulqini përpiqet me “sforco” të ruajë imazhin e dikurshëm. Nga viti në vit autoritetet vendore thonë se synojnë zgjatjen e sezonit veror me diversitet në përmbajtje, nga turizmi masovik tek eko-turizmi.

“Kemi turistë më shumë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Vitin e kaluar ka pasur edhe turistë që kanë ardhur nga Bosnja dhe Serbia. Gjithashtu ka patur edhe më shumë rusë, çekë etj.”, tregon Ali Rexha, Drejtor i Organizatës Turistike.

Edhe pse i pazbuluar nga shumë udhëtarë, vizitorët e rregullt nuk arrijnë të kuptojnë shndërrimin e Ulqinit. Mehmet Aloja, piktor i peizazhit, që njihet në qytet për riprodhimin e natyrës në mënyrë artistike, falë ngacmimit të shqisave të tij, tregon për transformimin e pjesshëm të Ulqinit nga zhvillimet e pakontrolluara urbane.

“Të vjen keq që një pjesë e qytetit është shkatërruar. Organet kompetente duhet të bënin më shumë për ta ruajtur. Është ruajtur kalaja e vjetër, por zhvillimet urbane kanë zhdukur krojet”, shprehet Aloja.

Ulqini, qyteti i 26.000 banorëve, me përkatësi multietnike, në verë pesëfishohet. Ulqinakët nuk jetojnë vetëm në sajë të turizmit. Kultura tipike e kësaj treve është ulliri. Në shkrimet e ndryshme cilësohet “druri i dashurisë”. Në periferi të tij gjendet ullishtja më e madhe në vend, me drurë qindravjeçarë. Kurora e tij me 80 mijë rrënjë i ndihmon ulqinakët në të ardhurat dytësore.

Qytet i historisë së bujshme, është pasuruar pas çdo pushtimi pa humbur origjinalitetin e tij. Në dallim nga Shkodra, Ulqini e ruan traditën e zakonit dhe këngës.

Specialitetet e kuzhinës së Ulqinit janë të pasura, peshku përgatitet në shumë mënyra, prodhimet e detit gjithashtu, njihet “Tava e Ulqinit” që ngjason shumë me atë të Durrësit, bamjet, ushqimi më i vjetër i kësaj treve, tespixhat, një ëmbëlsirë e ngjashme me bakllavanë e Shqipërisë dhe “Lule Shege”, një tjetër specialitet autokton.

Ulqini që lëviz mes legjendës dhe së sotmes bëhet gati për sezonin e ri turistik. Është periudha kur qyteti dhe ulqinakët jetojnë 24 orë në 24. Në këtë atmosferë përgatitjesh, i zoti i shtëpisë Gëzim Hajdinaga bën ftesën e rradhës: “Them që turistët 5 ditë duhet të shkojnë në Shqipëri dhe 10 ditë në Ulqin.”

Një verë tjetër rraskapitëse e pret qytetin e bukur. Nga ky sezon i ri, qytetin e vjetër e ndajnë vetëm dy ditë. /tch/

TË TJERA

Rreziqet e fshehura të proteinës pudër

Mund të përmbaj sheqer, kalori dhe kimikate toksike. Të gjithë të pasionuarit pas palestrës në ndonjë pikë vendosën të kthehen drejtë proteinës pudër për rezultate më të mira dhe të shpejta në përmirësimin e shëndetit. Kjo pasi që proteina është esenciale për të formësuar dhe mbajtur në formë muskujt, për të forcuar eshtrat, për të rritur energjinë etj. Shumë të rritur nuk...