Femrat të cilat dëshirojnë të mbesin shtatzënë duhen të hanë ushqimin mesdhetar, i cili është i pasur me acidet yndyrore mono të pangopura, pohojnë shkencëtarët nga “Harvard School of Public Health”.
Hulumtimi i ri tregon që ushqimi i cili përmban acidet yndyrore mono të pangopura, siç janë frutat e gjelbra, vaji i ullirit, kikiriku dhe bajamet, munden madje për 3 herë të rrisin probabilitetin e mbetjes shtatzënë.
Konsumimi i sasive shumë të mëdha të acideve të ngopura yndyrore (mishi, produktet e qumështit) mund të dëmtojnë pjellshmërinë e femrës. Me një hulumtim është përcaktuar që konsumimi i lartë i acideve yndyrore të ngopura mund të reduktojë sasinë e spermës te meshkujt.
Ekspertët pohojnë që ushqimi mesdhetar mund t’i ndihmojë femrat për të mbetur shtatzënë në mënyrë natyrale.
Dr. Jorge Chavarro së bashku me kolegët e vet ka studiuar efektin e llojeve të ndryshme të yndyrave në fertilitetin e femrave. Në hulumtim kanë marrë pjesë 147 femra, kryesisht në moshën 30 vjeçare.
Ata kanë përcaktuar që femrat, të cilat konsumojnë yndyra mono të pangopura kanë madje 3 herë më shumë probabilitet për të mbetur shtatzënë.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë që hulumtimi është kryer në numër shumë të vogël të femrave dhe që duhet të përsëritet e njëjta procedurë, por në numër më të madh të femrave. Megjithatë, ata theksojnë që ushqimi mesdhetar është i shëndetshëm dhe me siguri që nuk do t’i dëmtojë ose rrezikojë femrat.
“Llojet më të shëndetshme të yndyrave do t’i gjeni në ushqimin mesdhetar”, përcjell Telegraphi anglez deklaratën e dr. Chavarras.
Tashmë shumë hulumtime kanë treguar që ushqimi mesdhetar përmirëson shëndetin e organizmit në përgjithësi, ndërsa në veçanti atë të zemrës dhe enëve të gjakut.
Po ashtu kini parasysh që shumë shprehi përkeqësojnë pjellshmërinë dhe mbetjen shtatzënë. Adaptoni shprehitë e mira, hani ushqim të llojllojshëm, pini në sasi të moderuara dhe ndërpriteni konsumimin e duhanit.