Ushqyerja me gji për një fëmijë të shëndetshëm

Ushqyerja me gji, si mënyra më e mirë për rritjen e shëndetshme të fëmijës, ka shënuar rritje vitet e fundit në Shqipëri, një ndër vendet që ka adoptuar Kodin Ndërkombëtar të Tregtimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, duke ndaluar propagandimin e preparateve të qumështit të industrializuar nga mediat.

Ushqyerja me gji është një trashëgimi tepër e çmuar”, pohojnë specialistët e shëndetit publik, sipas të cilëve, qumështi i gjirit është i paimitueshem dhe përbëhet nga lëndë të pamundura të prodhohen artificialisht.

Ai përmban 100 lloje lëndë ushqyese si, proteina, kripra minerale, sheqerna, yndyrna, vitamina, etj. Por, mbi të gjitha, ai përmban faktorë mbrojtës si Imunoglobulina A, e cila e mbron fëmijën ndaj viruseve, bakterieve apo edhe substancave të huaja që mund të shkaktojnë alergji.

“Vendosja e fëmijës në gji bëhet jo më vonë se 6 -12 orë pas lindjes”, sqarojnë mjekët. Ata shtojnë se ushqyerja me gji duhet të vazhdohet sa më gjatë të jetë e mundur, por 6 muajt e parë fëmija duhet të ushqehet vetëm me gji.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, objektivi për stimulimin e ushqyerjes së fëmijëve me gji ka nisur të realizohet rreth 7 vjet më parë, me një projekt të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF, përmes të cilit janë sensibilizuar mjekët dhe infermierët në spitalet e vendit për rëndësinë që ka ushqyerja me gji te të gjithë fëmijët deri në moshën 6 muaj. Projekti është shtrirë fillimisht në spitalet qendrore në qytetin e Pogradecit, Korçës, Bulqizës, Peshkopisë, Kukësit dhe Tropojës.

Qëllimi i zbatimit të këtij projekti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, konsiston në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore nëpërmjet rregullave të përcaktuara nga fiziologjia.
Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri, 96 % e fëmijëve nën moshën pesë muaj ishin ushqyer ndonjëherë me gji.

Megjithatë, vetëm 43 përqind e fëmijëve të lindur që janë ushqyer me gji, e kanë filluar ushqyerjen me gji brenda orës së parë pas lindjes (ashtu siç rekomandohet), ndërsa 39 % e fëmijëve të moshës 0-5 muaj janë ushqyer vetëm me gji. Kohëzgjatja mesatare e ushqyerjes me gji ishte 15 muaj.

Ushqyerja me gji dhe të ushqyerit mirë në përgjithësi për fëmijët është thelbësore për të arritur Objektivat e Mijëvjeçarit, veçanërisht objektivat që lidhen me mbijetesën e fëmijëve, siç është ulja e vdekshmërisë foshnjore në 50 për qind deri në vitin 2015.

Studimet e kryera nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se një fëmijë që është ushqyer me gji është tre herë më shumë i aftë të mbijetojë, sesa një fëmijë që nuk është ushqyer asnjëherë me gji.