Zbulohet lidhja mes ulçerës dhe diabetit

Kërkues në Universitetin e New York raportojnë se i njëjti bakter përgjegjës për ulçerën e stomakut mund të nxisë shfaqjen e diabetit të sheqerit tip 2 në personat mbipeshë dhe obezë.

Diabeti shfaqet në të rriturit zakonisht mbi moshën 45 vjeç. Obeziteti dhe trashëgimia konsiderohen sot si faktorët kryesorë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje kronike që vret rreth 3.8 milionë njerëz çdo vit.

Bakteri në fjalë është Helikobakter pilori. Kërkuesit kanë zbuluar se të rriturit jo-diabetikë, por të infektuar me këtë bakter, kanë nivele më të larta të glukozës (sheqerit) në gjak se ata që nuk janë të infektuar. Ky është përfundimi i arritur nga Prof.Yu Chen dhe Dr. Martin Blaser të Universitetit të New York.

Për të monitoruar nivelet e glukozës në gjak tek personat e testuar, kërkuesit kanë matur hemoglobinën e glikoziluar në gjakun e pacientëve (HbA1c ose A1c). Ky është testi më i mirë për të studiuar në mënyrë afatgjatë kontrollin që i bën organizmi nivelit të glukozës në gjak.

Infeksioni me Helikobakter pilori shpesh e ka zanafillën që në fëmijëri. Për shumë vite nuk jep shqetësime, por pas disa dekadash shumë prej të infektuarve shfaqin ulçera në stomak e ne duoden (zorra e hollë). Në të njejtën kohë personi ka më shumë shanse për të zhvilluar kancer të stomakut.

Blaser thotë se ky studim është një tjetër provë e kostos afatgjatë që ka infektimi me këtë bakter.

Autorët kanë propozuar një mekanizëm me anë të të cilit H.pilori mund të nxisë diabetin. Ata thonë se bakteri mund të ndikojë në çlirimin e 2 hormoneve tretëse prej stomakut, grelinës dhe leptinës. Grelina, e quajtur dhe hormoni i urisë, pakëson konsumin e kalorive dhe nxit shtimin në peshë. Leptina ul oreksin dhe shton konsumin e kalorive. Kërkime të mëparshme e kanë lidhur bakterin me nivele të ulura të grelinës dhe nivele të rritura të leptinës.