Zvogëlimi i peshës ndihmon memorien

Përpos që përmirëson pamjen e jashtme, është parë se humbja në peshë përmirëson edhe kujtesën

Është parë se personat që u janë nënshtruar intervenimeve kirurgjike për zvogëlimin e peshës trupore, disa muaj pas operimit kanë treguar rezultate më të mira në testet e aftësisë së memories dhe përqendrimit.

Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti shtetëror ‘Kent’ kanë testuar 150 pjesëmarrës në studim para operacioneve të tilla dhe tre muaj pas operacionit.

Testet e bëra para operacionit kanë dhënë rezultate nën mesataren në raport me pjesën tjetër të popullsisë, në mënyrë që pas operimit, respektivisht pas largimit të kileve të tepërta, të normalizoheshin.

Pjesëmarrësit në studim, pas operimeve, kishin humbur më shumë se 20 kilogramë të peshës trupore.

Personat me mbipeshë nga grupi i kontrollit, të cilët nuk ishin operuar, në fund të periudhës së vëzhgimit kishin treguar rezultate edhe më të dobëta në teste, sesa që kishin pasur në fillim të studimit.

Studimet e shumta të mëparshme kishin treguar lidhshmërinë midis mbipeshës dhe obezitetit (formës ekstreme të mbipeshës) dhe rrezikut më të madh nga paraqitja e demencës.

Rezultatet e studimit të ri i ka botuar revista profesionale mjekësore “Surgery for Obesity and Related Diseases”.